SBAShK-u paralajmëron greva, shkak kontrata kolektive

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka paralajmëruar greva nëse nuk arrihet të nënshkruhet kontrata kolektive, të cilës i ka skaduar afati nga 11 prilli i këtij viti.

Lajme

17/04/2017 15:25

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online se me kabinetin e ministrit të Arsimit, kanë punuar në kontratat e reja, të cilat kanë afat tre vjeçar.

“Javën e kaluar kemi pasur takime të vazhdueshme me kabinetin e ministrit Bajrami dhe jam i sigurt, nëse nuk ndodh diçka krejt e papritur, se nesër ose pasnesër të punësuarit në arsimin e Kosovës duke filluar nga çerdhet e deri tek Universiteti do të kenë kontratën e tyre. Nesër kemi për t’u takuar me ministrin Bajrami për nënshkrimin e kësaj kontrate. Po them që në të kundërtën SBAShK-u është i gatshëm për grevë”, ka thënë Jashari.

Ai gjithashtu ka thënë se greva nga mësimdhënësit nuk ka të bëjë me një ose dy individ por që pjesëmarrës janë 99 për qind të tyre.

“Besoj që Qeveria por edhe Ministria e Arsimit e kanë kuptuar që ne kur hyjmë në grevë nuk jemi dy ose tre individë, por 99 për qind të sektorit të arsimit jemi pjesë e kësaj greve. Këtu kujtoj grevën e vitit 2015, por edhe viteve të tjera të cilat kanë sjell ndryshime në sektorin tonë”, ka shtuar i pari i SBAShK-ut.

Takimin të cilin Sindikatat e Bashkuara të Kosovës e kishin  me kryeministrin Isa Mustafa, Jashari tregoi që kanë folur për Ligjin për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta.

“Po në takimin që kishim ditë më parë me kryeministrin unë veçanërisht fola për ligjin e arsimit i cili prek mësimdhënësit e viteve të ’90-ta. Tregova që SBAShK-u bashkë me përfaqësuesit e ministrive përkatëse kanë kryer punën e tyre. Kryeministri Mustafa më premtoi që posa të mbërrij ligji tek kabineti i tij do të procedohet për në Parlament. Por në rast se ne kuptojmë që ky ligj nuk ka shkuar tek kryeministri, ne do të nisim me veprimet sindikale e këtu nuk përjashtojmë as grevën”, ka thënë Jashari.

Ditë më parë këshilli drejtues i SBAShK-ut është takuar ku kanë marrë vendime të ndryshme për çështjet të cilat preokupojnë këtë sindikatë, e cila mbron të drejtat e personelit të arsimit në Kosovë.

Ndërkohë nesër ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, do të nënshkruajnë Kontratën e re Kolektive të arsimit në Kosovë.

Siç theksohet me këtë kontratë përcaktohen të drejta të posaçme dhe obligimet e të punësuarve në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar dhe atij universitar, të drejtat dhe obligimet e  punëdhënësit, si dhe të drejtat dhe obligimet e palëve nënshkruese.