SBASHK-u nuk përfill kërkesën e ministrit, nga 13 prilli grevë e përgjithshme në arsim

Kërkesa e ministrit të Arsimit që SBASHK-u ta ndërprejë grevën, nuk po përfillet nga këta të fundit. Rrahman Jashari kryetar i Sindikatës për Arsim, Shkencë e Kulturë, ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen para 13 prillit, do të ketë grevë në afat ta pacaktuar.

Lajme

06/04/2018 11:00

Ministri i Arsimit dje pas një takimi që kishte me përfaqësues të SBASHK-ut kërkoi nga ta që të heqin dorë nga greva.

“Kërkova nga kryetari i SBAShK-ut, z. Rrahman Jasharaj, të shqyrtoj të gjitha mundësitë për anulimin e grevës së paralajmëruar. Ne jemi në vlugun e përgatitjeve për testin PISA 2018, e që është me interes për Kosovën, ndërsa greva e paralajmëruar përkon me fillimin e këtij procesi. Mbajtja e grevës në këto momente do të na shkaktonte dëme, aq më parë kur nxënësit tanë më shumë se kurrë e kanë kuptuar rëndësinë që ka ky test ndërkombëtar”, kishte shkruar dje në facebook ministri Bytyqi.

Por, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari po thotë se është i detyruar ta zbatojë vendimin e kongresit. Ky vendim e detyron që nga 13 prilli të shkohet në një grevë të përgjithshme.

Jashari ka thënë për lajmi.net se qeveria nëse ka vullnet, e përfundon Projektligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta për gjysëm ore.

“Bytyqi tha se për shkak të testit PISA greva të anulohet. Një gjë e tillë nuk është e mundur pasi është produkt i një rezolute të kongresit dhe unë jam i obliguar që të respektojë vendimet e kongresit që është organi më i lartë. Pasi aty kanë qenë përfaqësusit e të gjitha institucioneve dhe vendimi i tyre është obligim për mua”, ka thënë Jashari.

Ai ka theksuar që nëse projektligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta nuk votohet në qeveri deri më 13 prill, atëherë greva është e pashmangshme.

“Ajo që mund ta them është se do ta respektoj vendimin e kongresit, dhe më 13 prill do të fillojë greva e përgjithshme, një gjë që nuk e do askush mirëpo s’kemi zgjidhje tjetër”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, është kërkesë sublime e SBASHK-ut.

“Ata për një gjysëm ore nëse kanë vullnet mund ta zgjidhin problemin. Duke e vënë në rend dite projektligjin para 13 prillit dhe t’i japin dritë të gjelbër këtij projektligji. Në këtë mënyrë kërkesa sublime e SBASHK do të realizohej”, ka përfunduar Jashari për lajmi.net

Ndryshe, nëse greva e SBASHK-ut mbahet nga e premtja e javës së ardhshme, atëherë rrezikohet edhe organizimi i testit PISA. /Lajmi.net/