SBAShK-u kthehet në BSPK, thonë se po forcohet zëri sindikal

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), për kthimin e kësaj të fundit në BSPK.

Lajme

27/01/2017 13:45

Nënshkrimi i këtij memorandumi nga drejtuesit e dy sindikatave u cilësua i rëndësishëm dhe se me këtë po rinisë një epokë e re e sindikalistëve dhe sindikatave.

Kryesindikalisti Haxhi Arifi e ka mirëpritur kthimin e SBAShK-ut në BSPK, duke thënë se do të jetë zë i fuqishëm për të drejtat e punëtorëve.

“Është mirëpritur kthimi i SBAShK-ut në gjirin e bashkimit të sindikatave. Fuqia e sindikatave është e pamohueshme, sepse ne po luftojmë padrejtësitë dhe kushtet e punës së punëtorëve e sidomos atyre të sektorit privat. BSPK-ja dhe SBAShK-u do të punojnë shumë për mbrojtjen dhe drejtat e punëtorëve”, ka thënë Arifi.

Kurse kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Kosovës i duhet një zë i fuqishëm i shoqërisë, raporton Ekonomia Online.

“Kam parë që Kosovës i duhet një zë më i fuqishëm sindikalistëve. Ne si shoqëri kemi nevojë për forcim dhe për zërin sindikal. Po nënshkruajmë këtë memorandum marrëveshje për forcim dhe bashkim të unitetit sindikal. SBAShK-u është njëra prej sindikatave më aktive, nuk ka paraqitur kusht për kryetar të këtij bashkimi, sepse përfaqësuesit e të dy sindikatave do të marrin përvoja nga njëra-tjetra. Me këtë nënshkrim të këtij memorandumi po rinis një epokë e re e sindikalistëve dhe sindikatave”, ka thënë Jashari.

Për të përkrahur bashkimit e këtyre sindikatave prezent ishte edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili tha se bashkëpunimi i sindikatave sjell mirëqenie më të mirë, por edhe punë më të vështirë për qeverinë, pasi sipas tij, zëri sindikal bëhet më i fuqishëm.

“Këshillin ekonomik social tentojmë ta përforcojmë përmes plotësim ndryshim të ligjit të cilin do ta bëjmë, kjo është edhe në bazë asaj që është kërkuar nga Bashkimi Evropian. Për neve si qeveri do të jetë më e lehtë, sepse nuk marrim kërkesa vetëm prej dy sindikatave veç e veç, por kërkesat vijnë nga një sindikatë e vetme, dhe natyrisht për çka do që këta kanë nevojë mund të adresohen në Ministrinë e Punës dhe ne vazhdojmë bashkëpunimin”, ka thënë Abrashi.