SBASHK-u këshillon mësimdhënësit: Kujdes mos nënshkruani kontrata 1 vjeçare

Kryesia e SBASHK-ut është duke përcjellë me kujdes gjendjen në fillimet e këtij viti shkollor. Ajo ka marrë me shqetësim lajmin se në Komunën e Prishtinës, Suharekës e në ndonjë komunë tjetër nga Drejtoritë Komunale të Arsimit janë lëshuar në qarkullim Kontratat individuale 1 vjeçare.

Lajme

05/09/2014 18:31

Në një komunikatë për media nga SBASHK-u, thuhet se Kryesia kujton se Kontrata me afat të tillë nënshkruajnë vetëm fillestarët, por të punësuarve të tjerë në arsim që kanë kualifikim adekuat dhe kanë vende pune adekuate me titujt e tyre arsimor dhe kanë përvojë pune me shumë se 1 vit , duhet t’u ofrohet Kontrata individuale sipas nenit 5, pika 4.2 e Kontratës Kolektive , e cila është e nënshkruar më 11 prill 2014 nga Ministri Ramë Buja në emër të MASHT-it dhe nga Kryetari Rrahman Jasharaj në emër të SBASHK-ut. 

“Duke e cilësuar lëshimin e Kontratave individuale 1 vjeçare si shkelje të Kontratës Kolektive dhe konkretisht nenit 5 të saj, pasi u konsultua me kryetarët e niveleve komunale të sindikatave të arsimit parauniversitar, Kryesia në takimin Konsultativ vendosi t’ju drejtohet të punësuarve në Arsimin Parauniversitar të Kosovës që të mos nënshkruajnë kontrata të tilla 1 vjeçare, po të kërkojnë të respektohet Kontrata e përgjithshme dhe përmbajtja e nenit 5 në të cilin thuhet: “Kandidati që shpallet fitues dhe punësohet për herë të parë, në vitin e parë punësohet me kontratë individuale me afat 1 vjeçar. Me mbarimin e këtij afati, nëse rezulton se i punësuari ka kryer të gjitha detyrimet që i janë caktuar nga punëdhënësi me kontratën 1 vjeçare të punës, fiton të drejtën e punësimit me kontratë pune me afat të pacaktuar”. Lidhur me këtë çështje është njoftuar me kohë edhe MASHT-i”, thuhet në njoftimin për media. 

SBASHK-u kujton se kjo nuk vlen për të punësuarit që nuk kanë kualifikim adekuat.