SBASHK-u ende nuk e di se si do të veprojë për orët e humbura

Pas tre javësh grevë, sot ka filluar mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës.

Lajme

04/02/2019 10:32

Pas tre javësh grevë, sot ka filluar gjysmë vjetori i dytë në tërë shkollat e Kosovës, raporton lajmi.net.

Mirëpo pavarësisht se vendimi për ndërprerjen e grevës u mor të premten pas takimit që kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj pati me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kjo Sindikatë nuk e di nëse do të kompensohen orët e humbura apo jo.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka thënë për lajmi.net se janë mësimdhënësit ata që do të vendosin se si do t’ia bëjnë.

“Meqenëse sot është dita e parë e fillimit të periodës së dytë në ndërkohë të mblidhen mësimdhënësit se si do të veprohet më tutje. Akoma nuk është marrë jë vendim i tillë se çfarë do të ndodhë me orët e humbura”, ka deklaruar Shala për lajmi.net.

Ajo u shpreh e bindur se mësimdhënësit nuk do t’i mbesin borxh nxënësve.

“Jam shumë e bindur që mësimdhënësit do t’i kompensojnë njësitë mësimore të humbura. Nuk do t’ju mbesin borxh nxënësve assesi”, deklaroi Shala. /Lajmi.net/