SBASHK-u e kërcënon me greva Bytyqin

Udhëheqësit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, i kanë shprehur kundërshtimet lidhur me Ligjin për Pagat ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Lajme

10/07/2018 16:15

Sipas njoftimit, SBASHK-u ka rikujtuar se ky ligj është i papranueshëm për shkak të vendit në radhitjen që i është bërë punëtorëve të arsimit në tabelorin e këtij Ligji.

“SBASHK-u ka kërkuar që ministri Bytyqi dhe kabineti i tij të angazhohen me ngulm që kërkesat e argumentuara të SBASHK-ut të përfillen nga Ministria e Administratës Publike në mënyrë që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor në këtë radhitje”, thuhet në një komunikatë të SBASHK-ut.

Sipas njoftimit, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar që të mos neglizhohet kjo çështje sepse atëherë do të ketë greva të përgjithshme në tërë sistemin arsimor në vend.

Siç thuhet në njoftim, Bytyqi është përgjigjur se nuk ka vend për shqetësim pasi në këtë ministri është formuar komisioni që do të analizojë udhëzimin e përmendur dhe do ta zgjasë afatin për t’u dhënë mundësi të punësuarve në arsimin e mesëm të lartë të vazhdojnë me ngritjen profesionale për të arritur te titulli master. Ai ka shtuar se këto afate nuk mund të shtyhen në pafundësi.