SBASHK nëse s’ka rritje pagash, s’ka mësim

Shkollat e Kosovës nuk do të hapen në mesin e janarit për të filluar mësimin, nëse nuk ka rritje pagash për 25 për qind. Ky është paralajmërimi që vije nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Lajme

24/12/2014 12:58

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) i ka paralajmëruar institucionet kompetente se, nëse nuk plotësohen obligimet nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive dhe Kontrata Kolektive e sektorit të arsimit për rritjen e rrogave në këtë sektor, në mesin e janarit do të shpallet greva e përgjithshme dhe do të ndërpritet mësimi në të gjitha shkollat fillore e të mesme të Kosovës.

Në letrën dërguar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrit Isa Mustafa, Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ministrit Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami dhe ministrit të Financave Avdullah Hoti, kanë thënë se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen në mesin e janarit do të hynë në grevë.

Letra e plot e SBASHK-ut, dërguar institucioneve të Kosovës

Të nderuar udhëheqës të lartë të shtetit të Kosovës, duke u gjendur në një situatë të re dhe aspak të këndshme, pasi që u deklarua se nuk do të ketë rritje pagash, që ishin premtuar e as nuk ka gatishmëri për implementimin e plotë të Marrëveshjes së përgjithshme Kolektive dhe Kontratës Kolektive të sektorit të arsimit, të dyja këto të nënshkruara dhe të mbuluara me marrëveshjen se pjesa që kërkon implikime buxhetore do të vihet në jetë në janarin e vitit 2015, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, që është organi më i lartë sindikal mes dy Kongreseve, në emër të demokracisë së brendshme ka shpërndarë nëpër gjithë shkollat e arsimit parauniversitar formularë për deklarim.

Nga këta formularë vërehet se mësimdhënësit e Kosovës kanë autorizuar Këshillin Drejtues, Kryesinë dhe kryetarin e SBASHK-ut që nëse deri më 9 janar Ju, përfaqësuesit më të lartë të Kosovës nuk reflektoni në angazhimet për dialog dhe përmbushje të Kontratës dhe hapjes së dialogut për ngritje pagash, atëherë SBASHK-u do të fillojë më 10 janar me veprime sindikale sipas Ligjeve gjegjëse dhe Statutit të kësaj Sindikate.

Të nderuar udhëheqës të lartë të shtetit të Kosovës, kjo do të thotë se nëse mungon reflektimi Juaj, në mesin e janarit do të shpallet greva e përgjithshme dhe do të ndërpritet mësimi në të gjitha shkollat fillore e të mesme të Kosovës.

Ju drejtohem me apelin që të veproni në përmbushje të Kontratës sonë Kolektive, që është nënshkruar më 11 prill 2014 në mes të MASHT dhe SBASHK dhe ta hapini mundësinë për dialogun për ngritje pagash. Nga Ju varët se cila do të jetë situata në shkollat e Kosovës.