SBASHK: GAP t’u kërkojë falje mësimdhënësve të viteve të 90-ta

Ilustrimi i raportit të Institutit GAP të quajtur ‘ Ndikimin Buxhetor i Ligjit për Punëtorët e Arsimit Shqip të Viteve të 90-ta’ ofendoi mësuesit sindikalistë.

Lajme

30/05/2018 11:48

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë reagoi mbi përmbajtjen e raportit, por me theks të veçantë në vizatimin e kopertinës së tij.

GAP në kopertinën e këtij raporti ka vënë një ilustrim të ngjashëm me abetaren por me dallim tek nxënësit që qëndrojnë mbi shkronjat ‘ABC’.

“Aq më shumë në këtë vizatim të kopertinës nxënësi paraqitet  me një fytyrë të vrenjtur dhe në vend të buzëqeshjes vetëm sa nuk i ka dalë loti nga dëshpërimi, kurse nga çanta e tij dalin mizat. Në  po këtë kopertinë të dizajnuar keq nga GAP , në vend të nxënëses, që është në kopertinën e njërës nga abetaret, është vendosur një burrë  barkalec, me buzëqeshje ironike dhe me çantën, e cila nuk ia ka zënë gjithë paratë, por ato kanë nisur t’i dalin nga çanta. Kështu e portretizon mësuesin  e viteve të  90-ta GAP. Kjo nuk ka të bëj me të vërtetën dhe është fyerje ndaj personalitetit të pishtarëve të dijes.”, thuhet në reagimin e SBASHK.

Në analizën “Ndikimi buxhetor i Ligjit për punëtorët e arsimit shqip të viteve ‘90” të realizuar nga Instituti GAP thuhet që barra buxhetore e projektligjit është shumë më të madhe se sa ajo që është përllogaritur fillimisht nga Ministria e Financave (MF) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), përcjell Kallxo.com.

GAP ka paraparë se që nga vitit 2019 deri në vitin 2049 vlera e këtij projektligji do të shkojë deri në 650 milionë euro duke marrë parasysh të gjithë faktorët.

Sipas SBASHK raporti i GAP paraqet një draft të bazuar në supozime.

“Përfaqësuesi i SBASHK-ut me argumente e fakte ua hodhi poshtë gjithë pretendimet e tyre negative ndaj ligjit”, thuhet në reagim.

Në reagimin  e tyre SBASHK u ka përshkruar GAP-it se si në të vërtetë është dukur një mësues që punonte në Kosovë në vitet 90-ta.

“Mësuesi në atë kohë nuk ka qenë i veshur si në vizatimin e GAP e as nuk ka pasur çantë.  Ai në të shumtën e kohës ka punuar pa pagesë po në emër të idealit për atdheun e lirë dhe me vetëdijen se po i shërben dritës kundër errësirës. GAP këtë gabimin me kopertinën e bëri, mbase, pa qëllim, por vizatimi doli ofendues dhe prandaj GAP duhet t’u  kërkojë falje publike mësimdhënësve dhe nxënësve të viteve të 90-ta”, përfundon reagimi.