Sarri ndryshoi rregullat e Contes në Chelsea

Maurizio Sarri ka ndryshuar disa rregulla te skuadra e Chelseat.

Sport

15/08/2018 14:56

Kanë mjaftuar vetëm pak kohë, që Maurizio Sarri të fitojë zemrat e futbollistëve të Chelseat, aq sa shumë prej tyre që kërkonin largimin, tashmë kanë ndërruar mendje. Ish tekniku i Napolit ka ndryshuar mënyrën se si Antonio Conte e menaxhonte grupin, duke u dhënë më tepër liri lojtarëve.

Ndryshe nga kontrolli autoritar që u bënte Conte lojtarëve, Sarri ka hequr dorë nga grumbullimi i skuadrës 24 orë para ndeshjes, duke u dhënë kohë futbollistëve të kalojnë më shumë kohë me familjet e tyre.

E njëjta gjë edhe sa i përket mënyrës së stërvitjes dhe sjelljes në fushë. Conte ka qenë një maniak i taktikës dhe e shndërronte futbollin në një sport t6ë lodhshëm për lojtarët, që duhet të ndiqnin me përpikëri lëvizjet, sipas asaj që u kërkonte trajneri.

Sarri nga ana tjetër, ka ide të tjera, pasi kërkon që lojtarët të argëtohen në shumë në fushë, dhe të qarkullojnë dendur topin. “Ju duhet të argëtoheni në fushën e lojës, por vetëm se këtë do ta bëni duke u treguar të kujdesshëm”, ka qenë porosia e parë e Sarrit.

Efekti ishte i menjëhershëm, fillimisht me Willian dhe më pas me Hazard e Pedro, që premtuan se do të vijojnë qëndrimin te Chelsea, pavarësisht ofertave në merkato.

Edhe në ndeshjen e parë të kampionatit, “blutë e Londrës” u argëtuan pa masë, vrapuan shumë dhe arritën të marrin një fitore bindëse, 0-3, duke dhënë sinjale të qarta se kanë miratuar stilin e punës së Sarrit.