Sara Kapo: Gladiatore e betonit tirons

Nëse një ditë do të ndodhë që ndonjë astronom shqiptar të zbulojë ndonjë kometë, nuk do të habitesha fare nëse do ta emërtonte “kometa Sara”, sipas Sara Kapos natyrisht.

ShowBiz

07/08/2016 19:34

Për vëzhguesin e rëndomtë që nuk do ta lodhë shumë trurin, Sara Kapo është fiks si një kometë, trup qiellor i pakornizuar në çdo aspekt, që udhëton në një trajektore të çrregullt dhe që shfaqet një herë dhe pastaj zhduket për një kohë të gjatë. Në një çast ajo godet, thotë apo bën diçka që vetvetiu, pa i dhënë fare zor a spunto, merr dhenë dhe kthehet në një burim kontraverze, sharjesh, stigmatizimesh nga më të ndryshmet, por edhe në një model frymëzimi.

Kjo e fundit natyrisht veç për ata shqiptarë që janë ngopur me ngjyrimin bardhë e zi dhe kornizat shabllon të jetës së tyre. “Rebelimi është një sipërmarrje shumë e shtrenjtë, sepse nënkupton një faturë shumë të madhe që jo secila mund ta përballojë. Është një përpjekje e vazhdueshme, plot dhimbje dhe sfida sfilitëse. Bota i adhuron rebelet, por askush nuk e do dhimbjen që ato ndiejnë” – kështu thotë Zonja ime Z, edhe ajo një rebele e pandreqshme, por që në fund shembet nën presionin e vrazhdësisë së të jetuarit mes nesh.

Këto fjalë të saj mu kujtuan shpesh këto ditë, ndërsa ndiqja debatin virtual dhe jehonën mediave që mori statusi i fundit i Sara Kapos – ku ajo, jo pa të drejtë, vuri në shënjestër “burrërinë” e meshkujve shqiptar – dhe pyeta veten nëse Sara do t’ia dalë që rebelimin e vet ta çojë deri në fund apo edhe ajo do të mposhtet nën presionin e madh të provincializmit tonë që, hë për hë, bën ligjin në metropolin shqiptar. Si autor i një libri si Zonja Z, krijues i një personazhi që vë në shënjestër pikërisht detajin e burrërisë sipërfaqësore, nuk kisha se si të mos solidarizohesha me Sarën duke e bërë LIKE dhe duke bërë SHARE statusin e saj, por gjithsesi vazhdoj të jem në dilemë nëse solidarizimi virtual është i mjaftueshëm. Kam përshtypjen se të gjitha protestat tona sot manifestohen veç me një LIKE! Por para se t’ia jap vetes një përgjigje për këtë, dua të pyes: vërtet, kush është Sara Kapo? Është aktore, është modele, këngëtare, shkencëtare? Apo është goca e mamit, një artiste e njohur? Sara nuk është asnjëra nga këto, ndërkaq të qenit e bija e Ema Andreas është gjëja më e parëndësishme.

Sara Kapo është vetvetja, një njeri që thjesht ka ide të vetat, pikësëpari për veten e pastaj për realitetin tonë. Dhe sikur këto ide të mos kishin ndonjë peshë apo të mos godisnin në shenjë, nuk do të merrej kush me to. Është interesante se si te ne top lajm bëhen elemente krejt rrethanore si prerja e flokëve, përdorimi i një fjalori më të shkujdesur fjalësh, ajo që cilësohet si fjalor urban, apo edhe fotot nudo dhe jo thelbi. Ka kohë që nuk më lë përshtypje kjo tendencë e mbindërtimit tematik mbi gjëra shumë sipërfaqësore, por gjithsesi, si shoqëri, me kohën, ky afinitet i yni drejt sipërfaqësores do të kthehet në një forcë frenuese të progresit tonë intelektual. Nuk mund të them se në gjithë atë që bën Sara nuk ka elemente të protagonizmit të qëllimshëm, por gjithsesi, përtej çdo dyshimi, esenca e mendimit të saj është pjesë e asaj që sot cilësohet art universal i rebelimit. Përkundër të gjitha parashikimeve se komoditeti teknologjik dhe risitë tjera të epokës sonë do të na bënin më të dëgjueshëm, njeriu bashkëkohor po rebelohet. Po rebelohemi edhe ne!

Është ky një rebelim që nuk mund të shihet dhe as të matet në shesh e në bulevarde, sepse është krejtësisht individual. Është për keqardhje kur përballë shpërthimeve rebele si ky shpërthimi i fundit i Sarës (që në fund të fundit nuk ka thënë ndonjë gjë që nuk e mendojnë pothuajse shumica e femrave shqiptare dhe me të cilën, në heshtje, pajtohen edhe pjesa më e madhe e meshkujve shqiptarë), në vend se të merremi me thelbin e mendimit, problemin shoqëror prej të cilit nxiten shpërthime të tilla, ne vazhdojmë të udhëhiqemi nga ide si: pse e bë ajo këtë, e ka vetëm për ta bërë interesanten, do që të bëhet e famshme, etj. Dhe këtë nuk e bëjnë veç plebenjtë, por mbase dy herë më shumë e bëjnë ata që vetes ia kanë dhënë epitetin e patricëve të shoqërisë shqiptare.

Personalisht, mendoj se të gjitha këto “akuza” janë të vërteta, por, pasi që konstatuam se qenkan të vërteta, çfarë atëherë? Çfarë paska të keqe në të qenit protagonist? Nuk di nëse është e mundur që dikush të bëjë një veprim publik pa u kredhur në valët e protagonizmit? Apo ndoshta duhet që patjetër të luajmë rolin e modestit të rrejshëm, që (dhe kjo duhet thënë shumë hapur) nuk është gjë tjetër pos riciklim i modelit të Partisë së Punës kur eksponentët e regjimit thoshin: shokë, unë nuk doja të merrja këtë pozitë, por pasi që ju po ngulmoni, nuk kam si t’ju refuzoj! Jo, Sara Kapo dhe shumë të tjerë si ajo, nuk bëjnë më modestin e rrejshëm, por qëllimshëm e me shumë vetëdije bëhen protagonistë dhe si gladiatorë dalin në mes të arenës.

Dhe pavarësisht se sa përpiqemi që kauzën e tyre ta zbehim me zbërthime moralizuese (është për keqardhje se si akoma sport popullor kemi ndarjen e fetvave se kush qenka kurvë dhe kush e ndershme); ta zhvlerësojmë duke luajtur rolin e pedagogut kolektiv që na qorton pse përdorim fjalor më të shkujdesur (për çudi ne jemi mbase populli i vetëm që fjalët e pista nuk i kemi futur fare në fjalorin zyrtar të gjuhës, d.m.th zyrtarisht ato fjalë nuk ekzistojnë); apo t’ia sfidojmë legjitimitetin duke dashur që të gjithën t’ia mveshim një motivi personal (çuditërisht ne vazhdojmë të besojmë në logjikën kooperativiste se njeriu nuk guxon të ketë ambicie personale), kjo frymë e rebelimit nuk do të ndalet. Dhe deshëm apo nuk deshëm, burrëria (si vlerë) dhe fisnikëria më nuk matet me madhësinë specifike të dy topave, por me fuqinë për t’i qëndruar besnik ideve.

Këta rebelë janë heronjtë e asfaltit dhe betonit shqiptar, sepse, në një kontekst shoqëror krejtësisht hipokrit, ata/ato janë vetja e tyre. E bëjnë këtë edhe pse kjo nënkupton se duhet ta paguajnë një faturë të madhe, sepse shoqëria shqiptare nuk ngurron aspak të të gjykojë dhe të të dënojë në format më të vrazhda. Por ky është fati i të gjithë atyre që rebelohen, ndërkaq vetëm ata që protagonizmin e tyre e kanë manifestim të natyrshëm të rebelimit të tyre, vetëm ata që në rebelim e sipër kanë fuqi të mjaftueshme që sharjeve t’u përgjigjen veç me dashuri, ia dalin që në fund të transformohen në modele të frymëzimit. Nuk di nëse, përkundër simfonisë së zezë të sharjeve dhe fyerjeve me të cilat e qeras shoqëria jonë, Sara Kapo do t’ia dalë që rebelimin e vet ta ngjyrosë me nuanca dashurie dhe tolerance liberale të mirëfilltë (të jesh liberal megjithatë do të thotë t’i durosh pikërisht ata që nuk të duan dhe nuk mendojnë si ti), por dua të shpresoj se më në fund, së paku njëri nga ne, nuk do të mposhtet dhe do t’ia dalë që përpjekjen e vet ta çojë deri në fund.

Luftëtare e së vërtetës. E vetmuar, përballë valës së intrigave pafund. Nuk ngurrojnë ta quajnë të çmendur, ndërsa ajo vetëm qesh. “Më mirë e çmendur që jeton të vërtetën, se një kukull që dehet në gënjeshtra të bukura.” Amazona e fundit. Ajo është heroina ime. Këto vargje sot ia kushtoj Sarës, sepse, së paku për mua, ajo është gladiatore e vërtetë e metropolit tonë.

(autori është shkrimtar, ky shënim është krejtësisht personal) Albatros Rexhaj