Santander bojkotoi ndeshjen

Futbollistët e Racing Santanderit refuzuan të luajnë për shkak të mospagesës dhe e detyruan ndeshjen e tyre të kthimit në çerekfinale kundër Real Sociedadit të ndërpritet. Ata nuk e ndoqën topin pas sinjalizimit për fillimin e takimit të kthimit në shtëpi, të enjten mbrëma. Sociedad fitoi duelin e parë 3:1 andaj do të takohet në…

Sport

30/01/2014 20:00

Futbollistët e Racing Santanderit refuzuan të luajnë për shkak të mospagesës dhe e detyruan ndeshjen e tyre të kthimit në çerekfinale kundër Real Sociedadit të ndërpritet.

Ata nuk e ndoqën topin pas sinjalizimit për fillimin e takimit të kthimit në shtëpi, të enjten mbrëma. Sociedad fitoi duelin e parë 3:1 andaj do të takohet në gjysmëfinale me Barcelonën.

Protesta nënkupton se Sociedad u kualifikua tutje. Futbollistët e Santanderit publikuan një komunikatë të përbashkët të hënën duke njoftuar se do të bojkotojnë takimin përderisa presidenti Angel Lavin dhe bordi i tij nuk japin dorëheqje.

Skuadra vendase u paraqit duke kryer përgatitjet para takimit, mirëpo pasi Sociedad e nisi topin nga mesi i fushës, futbollistët vendas qëndruan në një vend, pa lëvizur.

Futbollistët mysafirë e pasuan topin mes vete për rreth dy minuta para se ta godasin jashtë vijës anësore, kur gjyqtari e sinjalizoi ndërprerjen e ndeshjes. Futbollistët e Santanderit nuk janë paguar tashmë disa muaj.