Sanchez kundër Martinos

Sulmuesi i Barcelonës, Alexis Sanchez e quajti “frikacak” trajnerin Gerardo Martino i cili e kishte shkelur premtimin dhe nuk e inkuadroi yllin kilian në formacionin bazë për finalen e Copa del Rey kundër Real Madridit.

Sport

19/04/2014 12:55

Sulmuesi i Barcelonës, Alexis Sanchez është përplasur me trajnerin Gerardo Martino në zhveshtoren e ekipit para fillimit të finales kundër Real Madridit në Copa del Rey të mërkurën.

Martino i kishte premtuar yllit kilian se do të jetë në formacionin bazë por në fund vendosi që Neymar të shoqëronte Lionel Messin në sulm.

Vendimi nuk u prit mirë nga Sanchez i cili shpërtheu në drejtim të Martinos dhe e quajti atë “frikacak”, ka bërë të ditur e përditshmja sportive katalane Sport.

Barcelona humbi finalen me rezultat 2:1 dhe Sanchez nuk doli as për të pranuar medaljen e finalistit, duke vënë në dyshim të ardhmen e tij në Camp Nou.

Për më tepër, Sanchez së fundmi është përmendur si objektiv i kampionit të Italisë, Juventus.