Samuel Zhbogar letër Ministres Hikmete Bajrami: Po e rrënoni Ministrinë (Dokument)

​Samuel Zhbogar e akuzon shumë rëndë ministren Bajrami për largimin nga puna të njerëzve profesionist në ministri.

Lajme

06/07/2015 19:24

Zhbogar thotë se puna e mirë që është bërë në të kaluarën në MTI po rrënohet nga Ministrja Bajrami.

Sipas tij, nëse vazhdohet kështu, Kosova do të dështojë në të gjitha fazat e integrimeve evropiane.

Zhbogar në letrën drejtuar ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami ka drejtuar një serë kritikash për ndryshimet që Ministrja i ka bërë së fundmi në administratën e MTI-së në sektorin e resurseve njerëzore, duke i larguar nga puna njerëz profesionistë me performancë të shkëlqyeshme.

Zbogar në këtë letër i ka shprehur Bajramit shqetësimin e thellë të BE-së për këto ndryshime, përmes të cilave, sipas tij, i ka tejkaluar standardet dhe principet më të rëndësishme të BE-së për sa i përket administratës publike, duke paralajmëruar se kështu do ta rrënojë Ministrinë, shkruan Gazeta Express.

Ai ia ka bërë të qartë Ministres Bajrami, se me këto veprime të saj ka rrezikuar edhe mbarëvajtjen e procesit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe proceset e tjera të integrimeve evropiane në të cilat gjendet Kosova.

Ai i ka kërkuar Bajramit që t’i rishikojë ndryshimet e bëra kohëve të fundit, qoftë edhe ato që eventualisht nuk i ka bërë ende publike.

Express ka siguruar letrën origjinale që Zhbogar i ka dërguar Ministres Bajrami. Të njëjtën jua sjellim edhe në shqip:

E dashura ministre,

Jam informuar së fundmi me një numër ndryshimesh në sektorin e resurseve njerëzore dhe në administratë brenda ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me theks të veçantë zëvendësime të shërbyesve të caktuar civilë brenda administratës suaj. Dua që seriozisht të shpreh zhgënjimin për një tejkalim të këtillë të standardeve dhe principeve më të rëndësishme të BE-së për administratën publike.

BE’ja është jashtëzakonisht e shqetësuar për këtë rrjedhë të ngjarjeve e cila jo vetëm që vë në pikëpyetje aftësinë e MTI-së për qëndrueshmërinë dhe implementimin e projekteve për të cilat jemi dakorduar, por gjithashtu vë në pikëpyetje hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, dua të theksoj se stafi profesional civil, i cili nuk është i ndikuar nga ndryshimet periodike politike është shtylla e zhvillimit, vazhdimësisë së reformave dhe implementimit të politikave të çdo shteti.

Ju do ta keni parasysh se reformimi i MTI-së është identifikuar si prioritet kyç dhe parakusht për fillimin e negociatave për MSA-në. BE-ja ka qenë e përfshirë fuqimisht në procesin reformues, duke insistuar në veçanti në një rekrutim transparent të stafit. Si rezultat, MTI-ja dhe stafi i saj patën shkëlqyer në negociatat për MSA-në. Ne presim dhe kërkojmë nga ju jo më pak se implementim. Fakti që ministria juaj ka shkarkuar staf me performancë kaq të shkëlqyeshme dhe arritshmëri të lartë po krijon një seri dyshimesh në motivimin e juaj për t’i përfunduar obligimet e dhëna në mënyrë të shkëlqyer dhe efikase.

I njëjti argument vlen edhe për kapacitetin operacional të ministrisë për t’i implementuar projektet IPA (Instrumenti për asistencë Para Anëtarësimit). Veçanërisht përgjatë dy projekteve të kaluara “Asistenca teknike për zhvillimin e mëtejmë të politikave tregtare të Kosovës” dhe mbështetjen e “SME’së përmes MTI-së”, BE-ja ka qenë direkt e përfshirë në politikat e rekrutimit të stafit të Ministrisë, duke u siguruar që procesi të jetë transparent dhe i baraspeshuar dhe që njerëzit me aftësi për të punuar në mënyrë efikase dhe për të implementuar projekte t’i marrin pozitat kryesore. Kemi qenë të impresionuar nga mbështetja profesionale dhe përkushtimi i stafit tuaj, e veçanërisht e sekretarit të përgjithshëm në këtë proces.

Në fund, por jo me më pak rëndësi, dua të theksoj rëndësinë e një stafi civil të pavarur dhe profesional i cili është çelësi për proceset e integrimeve evropiane. Siç e theksova, një shërbim civil kompetent është parakusht kryesor për mbarëvajtjen e një vendi dhe nuk duhet të ndikohet apo pengohet nga ndryshimet periodike politike. Siç e dini, reforma në administratën publike gjithashtu do të jetë pilot-temë e mbështetjes në sektorin buxhetor në të ardhmen për Kosovën. Në takimin e javës se kaluar mes Qeverisë dhe Komisionit Evropian , BE-së i janë dhënë zotime serioze që garantojnë se Kosova do ta marrë seriozisht procesin e reformave në administratën publike. Ne presim që këto të mos jenë vetëm premtime të dhëna formalisht por që Qeveria do të veprojë që këto të zbatohen edhe në praktikë.

E dashura ministre, duke i përmbledhur të gjitha ato që thashë më lartë do të doja të ju lus dashamirësisht që t’i rishikoni ndryshimet e kohëve të fundit të cilat i keni prezantuar ose edhe ato që keni në plan t’i prezantoni në administratën e ministrisë suaj. Duke i rishikuar, do të bëheni shembull pozitiv dhe do të jepni një mesazh të qartë që Kosova i respekton obligimet që i janë dhënë, dëshiron ta promovojë pavarësinë dhe profesionalizmin e shërbyesve të saj civilë dhe vepron në bazë të principeve themelore sipas të cilave shërbyesit civilë nuk duhet kushtëzuar apo ndikuar nga rezultatet e zgjedhjeve./Express

letra e Yhbograit 1 Letra e Bajramit 2