Samsung Galaxy S6 vjen më 2 mars

Është folur kaq shumë në internet për telefonin e ardhshëm të Samsung-ut, Galaxy S6. Këtë radhë informacionet vijnë nga burime të afërta me divizionin Samsung Electro-Mechanics (SEM), të cilët na sugjerojnë se ky telefon inteligjent i cilësisë së lartë do të ketë kamerë 20 megapiksel së bashku me një stabilizues optik të imazheve.

Auto & Tek

25/01/2015 14:10

Uebsajti BGR pretendon se ka zbuluar specifikat e sakta të Samung Galaxy S6. Sipas këtij uebsajti, Galaxy S6 do të vijë me një procesor me arkitekturë 64-bit me tetë bërthama 14nm (një version i procesorit Exynos), i cili thuhet se do të jetë 50% më i shpejtë se paraardhësi i tij. Do të ofrohet gjithashtu edhe lidhja LTE e kategorisë së gjashtë.

Pajisja do të ketë ekran 5.1 inç Quad HD super AMOLED me densitet 577 pikselë për inç. Sa i përket RAM-it, nuk kemi informacion, por vetëm është thënë se pajisja do të vijë në tri versione të hapësirës së brendshme, 32GB / 64GB / 128GB.

Galaxy S6 do të ketë gjithashtu bateri me kapacitet 2550 mAh, e cila falë një teknologjie të re, do të mund të zgjasë për katër orë përdorim me një karikim prej 10 minutash. Telefoni do të mbrohet nga xhami Gorilla Glass 4 dhe do të ketë një kamera frontale 5 megapiksel me hapje f/1.8.

Pajisja do të ketë gjithashtu trup prej metali dhe qelqi. Samsung ka konfirmuar se do të prezantojë Galaxy S6 në Kongresin Botëror të Telefonave, që do të zhvillohet më 2 mars. /krokodili