Samir Krasniqi, president i ri i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare

Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare ka mbajtur sot kuvendin e saj zgjedhor, me ç’rast ka zgjedhur presidentin dhe bordin e ri.

Lajme

01/07/2014 23:01

Besimi për ta drejtuar këtë institucion i është dhënë Samir Krasniqit, drejtorit i përgjithshëm i kompanisë “Xella Kosova”, kurse zëvendëspresident Olaf Steinhilb, nga Kompania “Germanwings”.

Samir Krasniqi ka falënderuar Ambasadën Gjermane për përkrahjen që i ka dhënë kësaj ode, si dhe ka ftuar për forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit.

Ai theksoi nevojën e madhe që ka Kosova dhe ekonomia e saj për thithjen e investimeve gjermane, si dhe të atyre nga diaspora kosovare, sikur edhe nevojën gjithnjë e më imediate të firmave kosovare me potencial për depërtim në tregun gjerman.

Anëtar të bordit të kësaj ode u zgjodhën Ilir Aliu, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të përgjithshëm të ProCredit Bankës në Kosovë, Bashkim Malushaj nga kompania “Evroenergie”, Nora Vllahiu, nga kompania “Kosova Airlines”, Sylejman Berisha, përfaqësues i kompanisë “Knauf”, si dhe nga Korab Syla nga kompania “Smart Project”.