Sami Lushtaku më i votuar se Bekim Jashari

Bekim Jashari fitoi pa balotazh zgjedhjet lokale në Komunën e Skenderajt të dielën, kur arriti të siguronte 13 mijë e 681 vota.

Lajme

23/10/2017 18:57

Ai do të udhëheq me komunën në katër vitet e ardhshme. Jashari doli i pari me shumicë votash, duke arritur 85 për qind të votave në Skenderaj.

Në këtë komunë, Jashari kandidoi si i pavarur, por u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Partia e Kadri Veselit nuk kandidoi në Skenderaj.

Para katër vitesh, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kandidati i PDK-së Sami Lushtaku kishte fituar më shumë vota sesa Bekim Jashari të dielën.

Lushtaku – i cili ka shërbyer për 17 vjet si kryetar i Skenderajt – kishte siguruar 15 mijë e 653 vota në zgjedhjet e para katër viteve.

Diferenca e votave mes Lushtakut në vitin 2013 dhe Jasharit në vitin 2017 është rreth 2 mijë vota në të mirë të ish-kryetarit të Skenderajt nga PDK. /Insajderi.com