Sallonet e ondulimit në Prishtinë të papastra dhe me produkte pa afat

Sallonet e bukurisë në Prishtinë nuk plotësojnë kushtet elementare të pastërtisë, duke rrezikuar shëndetin e klientëve. Një pjesë e madhe e tyre përdorin ngjyra me afat të skaduar. 

Lajme

24/10/2014 19:36

Salloni i bukurisë “Njomza” në Prishtinë është njëri ndër të vetmit që gjatë një kontrolli të inspektorëve sanitarë të Agjencisë së Veterinës doli me rezultate të mira raporton 038 në KTV.

Por, kështu nuk janë shumica e frizerëve në Prishtinë.

Pjesa dërmuese e tyre përdorin ngjyra me afat të skaduar dhe produkte grimi që jo vetëm që janë pa afat, por përdoren vetëm si testues.

AVUK-u e sheh këtë si shqetësuese.

Zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, ka thënë se të gjitha sallonet kanë marrë vërejtje dhe nëse në vizitën e dytë nuk i kanë përmirësuar kushtet me ligjet në fuqi, edhe mund të gjobiten e mbyllen.

Hiç më mirë nuk janë sallonet për meshkuj, sidomos ato ku ofrohen rroje fytyre e që për të gjithë meshkujt përdoret brisku i njëjtë që, sipas inspektorëve, rrezikon gjininë mashkullore edhe nga AIDS.

Frizeret femra ndërkohë peshqirët nuk i pastrojnë dhe krehrit e të tjerat nuk i dezinfektojnë.

AVUK-u nuk ka dashur të publikojë emrat e frizereve, duke thënë se do t’i inspektojë prapë për të parë nëse i kanë përmirësuar kushtet. Në mesin e tyre ka nga më të lirët deri te ata tek të cilët duhet rezervuar tre muaj më parë.