Salihaj i kundërpërgjigjet Mustafës: Ku ishin deputetët e LDK-së gjatë pauzave?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se deputetët e LDK-së që nuk ishin në sallë dje për ta votuar Hashim Thaçin për President, vepruan kështu sepse i thirrën ndërgjegjes, njofton Klan Kosova.

Lajme

27/02/2016 13:47

Ai këtë koment e ka bërë pasi që kryetari i tij i partisë dhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, shkroi sot po në Facebook një status ironizues për deputetët e LDK-së që nuk gjendeshin në sallë.

“Frikohesha se janë zënë peng në çadrat e VV. Por, jo! Dikush më tha se i kanë frikësuar”, ishte komenti i Mustafës.

Kurse Adem Salihaj, duke u kundërpërgjigjur ka shkruar; “Dje, kur po mbahej seanca e zgjedhjes së Thaçit president, disa nga ne deputetët nuk ishim aty, sepse na thirri ndërgjegjja jonë dhe zëri e elektoratit të LDK-së, të cilit i ishim betuar sa e sa herë se kurrë nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në dhe kurrë nuk do ta votojmë Thaçin president”.

“Siç e dinë të gjithë”, vazhdon shkrimi i Salihajt, “LDK-ja gjithmonë e ka mbajtur Thaçin përgjegjës për vrasjen e njerëzve më mirë e më atdhetarë të LDK-së dhe të Kosovës”.

“Kur rezultati nuk po shkonte në favor të zgjedhjes së Thaçit president dhe deputetët e LDK-së po mundoheshin të luftonin me ndërgjegjen e tyre, përnjëherë u zbraz salla e kuvendit dhe nuk mbeti asnjë deputet aty”.

“Ku shkuan, ku i dërguan, a i zuri peng SHIK-u diku në një skutë të kuvendit dhe po u kërcënohej se do t’ua bënte më zi se atyre tjerëve? Megjithatë, në fund u kthyen, ndonëse me fytyra të zbehura. E votuan Thaçin me shumicë dërmuese votash. I lumtur për këtë, i pari ia uroi Isa Mustafa, kryetari i LDK-së. Deputetët e LDK-së dolën nga salla pa duartrokitur dhe kokulur. Por, thashë, së paku, mirë që janë gjallë. Se fytyra nuk i bie copë askujt, thotë populli”, përfundon shkrimi i Salihajt.