Salah shpëton pa shkuar në ushtri

Mohamed Salah do ta vazhdojë karrierën me Chelsean dhe nuk do të kthehet në shtëpi për ta kryer shërbimin ushtarak. 22 vjeçari mund të vazhdojë të merret me futboll.

Sport

21/07/2014 18:52

Futbollisti i Chelseat, Mohamed Salah nuk do të rikthehet në Egjipt për ta kryer shërbimin ushtarak.

Fundjavën që shkoi raportohej se futbollisti egjiptian duhej të kthehet në atdhe, pasi nuk e ka kryer ende obligimin kombëtar.

Mirëpo, Kryeministri i vendit, Ibrahim Mahlab ka intervenuar personalisht në këtë çështje, duke e zhvilluar një takim me përzgjedhësin Shawky Gharib, të cilit ia kumtoi lajmin e lirimit të futbollistit, për të mirën e futbollit egjiptian.

Për këtë, Salahut iu dha mundësia të qëndrojë në Angli dhe të vazhdojë të luajë futboll.

Ai rrezikonte karrierën, pasi i duhej të qëndronte në Egjipt nga 12 muaj deri në 3 vjet.

Salah ishte transferuar në Stamford Bridge nga Baseli për 14 milionë euro në janar dhe ka realizuar dy gola në Premierligë, nga 10 ndeshje sa i zhvilloi me Blues.