Saint Laurent sjell vitet ’80

Saint Laurent e pushtoi Parisin me koleksionin e tij “Pranverë-Verë 2018”, prezantuar në një pasarelë të hapur përpara kullës “Eiffel”.

Lifestyle

27/09/2017 16:31

Eleganca dhe shkëlqimi ishte kryefjala e shfaqjes së mbajtur nën dritat pulsuese të monumentit ikonë. Modelet mbanin veshur kominoshe me temina të stilit “disco” të viteve ’80, pantallona të shkurtra lëkure me bel të lartë dhe taka të zbukuruara me pupla.

Xhaketat rrëzëllitëse me temina, për Saint Laurent mund t’i shijojnë fare mirë edhe meshkujt, kombinuar me pantallona të ngushta e këpucë elegante. Nën qiellin e natës, modelet sfiluan me fustane të fryra në pjesën e sipërme e të shkurtra poshtë.

Preferenca ishte për ngjyrën e bardhë e të zezë, por nuk mungonte as e kuqja e fortë dhe e guximshme, apo edhe ndonjë spërkatje tek-tuk me imitime të lëkurës së kafshëve.

Koleksioni rikthen berretat, vetëm se në përmasa të ekzagjeruara, si dhe çizmet me push. Kjo ishte e para shfaqje e Saint Laurent, që prej vdekjes së bashkëthemeluesit të shtëpisë së famshme të modës, Pierre Berge, më herët gjatë muajit.

Dior ishte më hokatar në koleksionin e tij, që rrotullohej tek e bardha, bojëqiellja, grija dhe e verdha. Lëkura shfaqej edhe këtu si aksesor i vyer, e teminat dhe shkëlqimi po ashtu. Me krijimet e saj rinore “ready-to-wear” (të gatshme për t’u veshur), Maria Grazia Chiuri shpreson t’i frymëzojë femrat që të luajnë pak më shumë me modën. /Lajmi.net/