Safet Kamberi i LDK-së flet pas humbjes në Mitrovicës

Kandidati i LDK-së për Mitrovicën, Safet Kamberi ka folur pas rezultatit të zgjedhjeve lokale që u mbajtën dje

Lajme

23/10/2017 16:07

Kamberi që në radhitje ka dalë i treti ka thënë se ka pritur që të ketë rezultat më të mirë por se nuk ka ndodhur kështu, e megjithatë ai e respekton këtë.

Ai poashtu përmes një postimi në Facebook ka falenderuar të gjithë ata që kanë besuar në të, derisa ka thënë se është i lumtur që LDK është rikthyer si partia e parë në Kosovë.

Më poshtë postimi i tij i plotë:

Dje ne kemi përmbyllur një proces të tej zgjatur zgjedhor.

Procesi zgjedhor në përgjithësi ishte i mirë përjashto ditën e zgjedhjeve ku kishte shumë parregullsi, të cilat tashmë i kemi raportuar. Shpresoj shumë që organet e rendit do ta thonë fjalën e vetë për ato parregullsi.

Gjatë gjithë këtij procesi unë kisha rastin të komunikoja në forma të ndryshme me shumicën prej jush. Ju falënderoj për konsideratën që shprehët gjatë gjithë atyre takimeve dhe aktiviteteve.

Pritjet tona ishin se do të kemi rezultat më të mirë por ishit ju ata që nuk menduat ashtu. Ju i dhatë shanse një filozofie tjetër politike për të vazhduar betejën për të udhëhequr me Komunën, unë e pranoj dhe e respektoj këtë vullnet tuajin.

Ju falënderoj të gjithëve që besuat në mua, por fatkeqësisht ky besim nuk ishte i mjaftueshëm sa për të vazhduar garën.

Zgjedhja u takonte juve, ju e bëtë atë, ne i nënshtrohemi kësaj zgjedhje.

Unë jam i lumtur që Lidhja Demokratike e Kosovës është rikthyer si parti e parë në Kosovë. Ajo mbetet e vetmja shpresë për të ardhmen e vendit tonë.

Unë i falënderoj të gjithë ekipën, strukturën e degës së LDK-së në Mitrovicë, kandidatët për asamble që me entuziazëm e plotë besim u dedikuan në këtë garë.

Mitrovica është qyteti ynë, ne duhet ta mbrojmë atë në të gjitha rrethanat. Ky është vendi ku ne do ti rrisim fëmijët tanë prandaj nuk do të dorëzohemi asnjëherë nga kauza jonë e drejtë, për ta mbrojtur dhe zhvilluar atë.