Sa spitale do të ndërtoheshin me 53 milionë eurot që iu dhanë “Bechtel&Enka”-s

Kushte jo të mira, mungesë shtretërish e objekte të vjetëruara.

Lajme

06/06/2018 18:47

Këto janë ankesat e para që bëjnë qytetarët e vendit, sapo e hedhin hapin e parë në spitalet publike në Kosovë. E të gjitha këtyre  ankesave të qytetarëve për spitale, në Ministrinë e Shëndetësisë gjithmonë u japin të njejtën përgjigje, “nuk ka mjete”.

Por, ndërkohë vendi më i varfër në rajon po ka buxhet që të paguajë borxhe në vlera milionëshe.

Shteti i Kosovës i dha kompanisë “Bechtel&Enka”, e cila po e ndërton autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”, hiq më pak se 53 milionë euro pagesë shtesë për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave.

Ndonëse për ndërtimin e kësaj autostrade në fillim ishin planifikuar të shpenzoheshin 608 milionë euro, tani kjo shifër për shkak të mos përmbajtjes së kushteve të kontratës ka arritur në 700 milionë euro, shkruan Ndërtimi.info.

E nëse kjo shumë e parave do t’i kalonte Ministrisë së Shëndetësisë, vendit do të mund t’i shtoheshin dhjetëra spitale. Në bazë të disa përllogaritjeve me 53 milionë euro në vend do të mund të ndërtoheshin pesë spitale sikurse ai i Pejës, për ndërtimin e të cilit ishin shpenzuar 9 milionë e 468 mijë euro.

Por, nëse merret për bazë shuma e parave që është shpenzuar ndërtimin e Spitalit të Vushtrrisë, Kosova do të bëhej me shtatë spitale, ku për ndërtimin e secilit do të nevojiteshin rreth 7 milionë euro.

E ndërkohë në kryeqytet ende nuk ka filluar të ndërtohet Spitali i Pediatrisë, që është donacion prej 22 milionë euro e do të ketë hapësirë rreth 10 mijë metra katrorë. Me 53 milionë euro do të mund të ndërtoheshin edhe dy spitale të tilla sikurse ky i Pediatrisë, madje edhe do të tepronin para.

Por, vendi duket se do të mbetet vetëm me këto spitale edhe për kogja kohë, pasi që shteti nuk ndan para për to. Madje, edhe spitalet që janë ndërtuar deri më tani, shumica janë donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe ose prej donacioneve nga vendet e tjera./Ndërtimi.info