Sa shanse kanë për azil shtetasit e Kosovës?

Më kotë po harxhojnë e vuajnë për të bërë rrugën e emigrimit, më kot jetojnë në kushte të këqija teksa presin vendimin final dhe humbasin vendin e punës në Kosovë, sepse gjasat që të marrin përgjigje pozitive janë të papërfillshme.

Opinion

04/02/2015 16:19

Këtë periudhën e fundit anembanë Kosovës ka filluar të ushqehet dhe përhapet një legjendë urbane sikur Bashkimi Evropian mezi po pret që të marrë azil-kërkues nga Kosova. meqenëse kinse është lodhur nga imigrantët që vijnë nga Afrika apo Azia dhe gjasme i preferon që imigrantët të jenë evropianë.

Ky është një mashtrim i madh pasi azilkërkuesit janë barrë e madhe për buxhetet publike të taksapaguesve të vendeve të BE-së të cilat janë të detyruara të shpenzojnë e sigurojnë kushte për azilkërkuesit të detyruar nga traktatet ndërkombëtare ku kanë aderuar.

Të dhënat e fundit të dala nga EUROSTAT-i tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar në vendet e Bashkimit Evropian janë marrë 745 vendime për azilkërkuesit kosovarë nga të cilat vetëm 45 kanë marrë vendim pozitiv, pra 6%.

Tremujori kur është marrë numri më i madh i vendimeve për azilkërkuesit ka qenë ai i fundvitit 2013 kur janë marrë 4150 vendime nga të cilat vetëm 2.4% ose 140 në total kanë qenë të suksesshme.

Për shumicën dërrmuese të kosovarëve marrja e azilit është një ëndërr e parealizueshme çka do të thotë se kjo ikje është e pajustifikuar. Më kotë po harxhojnë e vuajnë për të bërë rrugën e emigrimit, më kot jetojnë në kushte të këqija teksa presin vendimin final dhe humbasin vendin e punës në Kosovë, sepse gjasat që të marrin përgjigje pozitive janë të papërfillshme.

Në Bashkimin Evropian statusi i refugjatit u jepet azil-kërkuesve në bazë të konventës së Gjenevës së vitit 1951 dhe Protokollit amendues të 1967.

Sipas kësaj konvente statusi i refugjatit i jepet “secilit individ që duke pasur frikë me arsye se është i persekutuar për shkak të racës së tij, fesë, kombësisë, për shkak se i përket një grupi të caktuar shoqëror ose për shkak të bindjeve të tij politike, gjendet jashtë vendit shtetësinë e të cilit e ka dhe nga fakti i kësaj droje nuk mundet ose nuk dëshiron të kërkojë mbrojtje nga ky vend”.

Pra me pak fjalë të vetmit që kanë gjasa për të marrë azil mes shtetasve të Kosovës janë ata që i përkasin pakicës etnike, fetare apo të orientimit seksual.

Sipas konventës azilkërkuesit i njihen disa të drejta si e drejta e qëndrimit të përkohshëm, e drejta e strehimit apo e drejta e sigurisë shëndetsore dhe procedura e shtjellimit të çështjes zgjat në varësi të vendit të origjinës apo shtetit që e shqyrton çështjen.

Kështu në Gjermani zgjatja mesatare e procedurës në vitin 2012 ka qenë 5.5 muaj ndërsa në vitin 2013 ka qenë 7.2 muaj.

Ndërkohë që vendi origjinës përcakton edhe shpejtësinë e procedurave pasi në vitin 2013 për të marrë një vendim final për një azilkërkues të Serbisë janë dashur 2.1 muaj ndërsa për një të Pakistanit 15 muaj.