Sa para harxhon Kuvendi i Kosovës për letra, ngjyrë e servisim të printerëve? (VIDEO)

Kompjuterë e llaptopë ka thuajse secili deputet në kuvendin e Kosovës. Bile, edhe telefonat e mençur, nuk ju mungojnë.

Lajme

26/01/2016 23:38

Por, megjithatë teknologjinë që e kanë në shfrytëzim, ata duan që çdo dokument apo projektligj që e diskutojnë, ta kenë edhe të shtypur në letër.

Kështu, administrata e kuvendit, detyrohet që çdo gjë ta printoj në 140 kopje. 120 bëhen për deputetët e 20 ekzemplarë për çështje procedurale e arkivore.

Në këtë mënyrë, letra shkon fort në organin legjislativ të vendit e shumë e përdorshme ishte në seancën e 25 Qershorit.

Kjo pasi prania e hartave dhe e dokumenteve gjatë asaj seance, krijonte një pamje më klasike të punës.

Kështu, shpenzimet për letër, e materialet përcjellëse siç është ngjyra, janë të mëdha.

Instituti GAP ka siguruar disa të dhënë sipas të cilave del se futja në përdorim e laptopëve nga deputetët e Kosovës, nuk ka pasur ndikim në shpenzime.

Ani pse këto të dhëna janë të muajve të 2014-ës, shpenzimet vazhdua me të njëjtin ritëm edhe në vitin që shkoi.

Në të dhënat e GAP-it për vitin 2014, del se për pesë muaj, mesatarisht janë shpenzuar 23 mijë e 181 euro për letër.

Për ngjyrë 19 mijë e 187, ndërkaq për servisimin e makinave fotokopjuese dhe printerëve 26 mijë e 559 euro.

Por, për 2015-ën, sekretaria e Kuvendit nuk ka dhënë shifra se sa para shkuan në letër.

E shpenzimet e tilla janë të panevojshme për GAP-in.

YouTube player