Sa lehtë zgjidhet Kryetari i Kuvendit në Shqipëri e Maqedoni

Krahasim i formës së zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës me dy shtetet e rajonit, atë të Shqipërisë dhe Maqedonisë. 

Lajme

26/07/2014 13:31

Kushtetuta, ligjet dhe rregulloret e shtetit të Kosovës, pas krijimit, u quajtën shumë moderne dhe në përputhshmëri me ato të shteteve europiane.

Por, të gjitha aktet juridike në letër mund të duken profesionale, përderisa nuk i provojmë në praktikë.

Kohëve të fundit është parë se për arsye të pazotësisë së juristëve dhe politikanëve, apo mangësive në Kushtetutë dhe Rregullore të Kuvendit, shumë procese politike, pas zgjedhjeve të tetë qershorit u dërguan për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Problemi kryesor u shfaq tek paqartësitë në mbledhjen konstituive, saktësisht në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Në bazë të Rregullores së Kuvendit parashihet se mundësia për t’u zgjedhur Kryeparlamenari jepet vetëm një herë.

Kjo vëri në konfuzion dy blloqet politike, atë të PDK-së me partitë më të vogla të koalicionit, dhe bllokun LDK-AAK-Nisma.  Dilema ishte se kujt i takon mundësia e parë të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, grupit më të madh parlamanetar apo partisë më të madhe. Gjithashtu dilemë tjetër ishte edhe se çka nënkupton grup parlamentar. Pra gjithçka u bllokua në këtë pikë.

Dikujt mund t’i duket se janë partitë politike ato që janë kapur për interesa te veta, apo edhe nuk po dinë të zgjidhin problemin.

Mirëpo, këso problemesh nuk shfaqen në vendet europiane, ku sipas ekspertëve të drejtësisë, ligjet dhe Kushtetutat janë të një standardi me të Kosovës.

Faktikisht këto probleme nuk shfaqen as në shtetet e rajonit.

Në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën këtë vit në Maqedoni, dhe ato në Shqipëri në vitin e kaluar, nuk është parë të jetë paraqitur një problem i tillë. Njëra arsye për mos paraqitjen e këtyre problemeve ishin edhe grupimet e mëdha politike, por jo vetëm.

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në Maqedoni dhe Shqipëri bëhet shumë thjeshtë, dhe kjo parashihet me rregulloret e kuvendeve përkatëse.

Në Shqipëri, të drejtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit e ka secili grup që ka jo më pak se 15 deputetë.

Në bazë të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, parashihet që të gjithë të propozuarit për kryeparlamentar t’u nënshtrohen votave, dhe më pas në formë eliminimi, zgjidhet Kryetari i Kuvendit.  

Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, neni 6, Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit:

1. Kandidati për Kryetar të Kuvendit propozohet nga të paktën 15 deputetë. Një deputet

nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Propozimi bëhet me shkrim, përmban

nënshkrimet përkatëse dhe paraqitet në Sekretarinë e Përkohshme të Kuvendit.

2. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave,

në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga

kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për

dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota.

3. Votimi organizohet publikisht dhe drejtohet nga një komision votimi, i përbërë prej 5

deputetësh, që pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit.

Anëtari më i vjetër në moshë kryen edhe detyrën e kryetarit të komisionit të votimit dhe

shpall rezultatin e votimit.

4. Drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij.

Pothuajse e njëjta procdurë vlenë edhe në Maqedoni, përveçse grupi i deputetëve që kanë të drejtë propozimi për kryeparlamentar, duhet të jetë jo më pak se 20.

Rregullorja e Kuvendit të Maqedonisë, neni 22 dhe 23:

Neni  22

(1) Kandidat për Kryetar të Kuvendit mund të propozojë Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve ose së paku 20 deputetë.

(2) Një deputet mund të jetë propozues vetëm i një kandidati për Kryetar të Kuvendit.

Neni 23

(1) Propozimet e kandidatëve për Kryetar të Kuvendit paraqiten me shkrim në seancën e Kuvendit dhe përmbajnë emrin dhe mbiemrin e kandidatit me të dhëna biografike dhe arsyetim, si dhe emrat dhe mbiemrat e deputetëve të cilët paraqesin propozimin dhe nënshkrimet e tyre.

(2) Radhitja e kandidatëve për Kryetar të Kuvendit përcaktohet sipas rendit alfabetik të mbiemrave të tyre.

Në bazë të këtyre rregulloreve, shihet qartë se konstituimi i Kuvendit, në këto dy shtete fqinje, nuk ngecë në këtë pikë.

Shtrohet pyetja nëse është problemi te këto akte juridike që u quajtën me standarde europiane, apo tek kosovarët që nuk po i kuptojnë?

Siç duket, rregullimi juridik i një shteti nuk mund të bëhet vetëm nga importimi i standardeve, por kryesisht nga përvojat. (Lajmi.net)