Sa kosovarë do të luajnë në “Euro 2016”?

Përfaqësuesja e Kosovës nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian “Franca 2016”, i cili nis pas pak javësh.

Sport

23/05/2016 12:37

Mirëpo, anëtarja e re e UEFA-s dhe FIFA-s, në mënyrë indirekte, do të përfaqësohet në “Euro 2016” përmes një “kolonie” të futbollistëve që kanë lindur apo kanë rrënjë nga Kosova, e të cilët do t’i përfaqësojnë shtetet tjera në ngjarjen më të madhe të futbollit evropian, shkruan Zëri.

Gati 20 futbollistë kosovarë pritet të garojnë në “Euro 2016”, në bazë të listave preliminare që i kanë zbuluar përzgjedhësit e shteteve tjera pjesëmarrëse.

Në listën preliminare që e ka zbuluar Gianni De Biasi i Shqipërisë figurojnë emrat e katërmbëdhjetë futbollistëve nga Kosova. Ata janë: Lorik Cana, Etrit Berisha, Arlind Ajeti, Mërgim Mavraj, Frederik Veseli, Migjen Basha, Taulant Xhaka, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Herolind Shala, Amir Abrashi, Shkëlzen Gashi, e po ashtu Amir Rrahmani e Milot Rashica, të cilët kanë më pak gjasa për të shkuar në Evropian, por janë prezentë në listën preliminare të De Biasit.

Nëse në këtë grup të futbollistëve përfshihet edhe emri i Berat Gjimshitit me prejardhje nga Kosova Lindore, atëherë numri shkon në 15.

Por, këta nuk janë kosovarët e vetëm. Në “Euro 2016” pritet të shkojnë edhe Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Shani Tarashaj, të gjithë këta nga Kosova, e që janë përfshirë në listën e përzgjedhësit të Zvicrës, Vladimir Petkoviç.