Sa kemi aq po harxhojmë

Tre muajt e parë të këtij viti shënuan rritje të aktiviteti ekonomik, rritje të të hyrave, por edhe rritje të shpenzimeve.

Lajme

26/05/2016 09:49

Raporti i tremujorit të parë për vitin 2016 i Ministrisë së Financave (MF), thotë se në këtë tremujor është përshpejtuar rritja e aktivitetit ekonomik.

Në këtë përshpjejtim dhe rritje të të hyrave sipas ministrisë kanë ndikuar ndryshimet në politikat tatimore, reformat e të bërit biznes si dhe masat e ndërmarra nga agjencitë për mbledhjen e të hyrave për të ngushtuar hendekun tatimor.

Raporti i Ministrisë së Financave njofton se të gjitha pranimet për këtë tremujor janë rritur për 20 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Të hyrat tatimore në masë më të madhe kanë ndikuar në këtë rritje, por edhe të hyrat jotatimore, në veçanti të hyrat vetanake të komunave.

Në anën tjetër edhe shpenzimet u rritën në 17.1 për qind, ndërsa në këtë rritje ndikuan shpenzimet kapitale dhe subvencionet.

Në perfomancën e të hyrave buxhetore ka rritje në këtë tremujor për 16 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të 2015-ës.

“Më konkretisht, të hyrat buxhetore (ku hyjnë të hyrat tatimore dhe jotatimore) kanë shënuar rritje prej 16% që korrespondon me 44.6 milionë euro më shumë krahasuar me arkëtimin e të hyrave gjatë tremujorit të parë të vitit paraprak,” thuhet në raport

Sipas raportit, 210.9 milionë euro u mblodhën në këtë tremujor në kufi nga Dogana, duke shënuar rritje në 26 për qind dhe 86.3 milionë euro janë mbledhur nga Administrata Tatimore e Kosovës me një rritje për 3 për qind se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Masat e ndërmarra nga agjencitë për mbledhjen e të hyrave për parandalimin e evazionit fiskal, efektet e politikave tatimore si dhe rritja e kërkesës së brendshme agregate kanë ndikuar në rritje e këtyre të hyrave.

Vlera e shpenzimeve në këtë tremujor sipas raportit ishte 333.1 milionë euro, duke përfshirë edhe pagesën e interesit për borxhin publik. Vlera e shpenzimeve buxhetore të realizuara në këtë periudhë është 15 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Implementimi i kontratës kolektive te pagat dhe mëditjet ka ndikuar në rritjen e kësaj kategorie të shpenzimeve. Shpenzimet për mallra dhe shërbime kanë qenë më të larta në këtë periudhë duke u ndikuar nga mirëmbajtja e mjeteve fizike si dhe blerja e mallrave dhe shërbimeve.

Te kategoria e shpenzimeve për subvencione dhe transfere rritja e pensioneve kontributdhënëse, rritje për 25 për qind për asistencën sociale si dhe pagesa e përfitimeve për veteranët e luftës, kanë ndikuar në rritjen e shpenzimeve.

Rritje të shpenzimeve kapitale kanë shënuar shpenzimet për ndërtimin e rrugëve me 23.7 milionë euro.

Pagesa për borxhin (kryegjësë dhe interesit) kapi vlerën 24.6 milionë euro duke shënuar rritje të kësaj kategori e në krahasim e periudhën e njëjtë të vitit paraprak .

Në këtë rritje ndikoi pagesa për kthimin e borxhit ndaj FMN-së për mbështetje financiare nga marrëveshja stand-by.