Sa është numri i nxënësve në shkollat publike e sa në ato private ?

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka publikuar Statistikat e Arsimit për vitin akademik 2017/2018.

Lajme

19/06/2018 16:56

Ky publikim ofron informata statistikore për parashkollorë, arsimin fillor dhe të mesëm të ulët,  arsimin e mesëm të lartë, arsimin special, si dhe informata statistikore për arsimin universitar për sektorin publik dhe privat.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollorë ishte 31 068, prej tyre në sektorin publik 27 289 fëmijë, ose 87.9%, ndërsa në sektorin privat 3 779 fëmijë, ose 12.1%.

Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 248 044, prej tyre në sektorin publik ishin 244 149 nxënës, ose 98.4%, ndërsa në sektorin privat 3 895 nxënës, ose 1.6%.

Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 91 345, prej tyre në sektorin publik 88 444 nxënës, ose 97%, ndërsa në sektorin privat ishin 2 901 nxënës, ose 3%.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin special ishte 315 nxënës.

Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 110 137, prej tyre në universitetet publike ishin 70 313 studentë, ose 63.9%, ndërsa në kolegjet private ishte 39 824 studentë, ose 36.1%. /Lajmi.net/