Rusia zotohet për investim në sektorin e naftës së Iranit

Ali Akbar Velayati, këshilltari i lartë i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se takimi i tij me presidentin rus, Vladimir Putin të enjten ka qenë “shumë konstruktiv dhe miqësor”, dhe se Moska do të investojë në sektorin e naftës iraniane, transmeton Reuters.

Bota

12/07/2018 14:08

“Lideri ynë (Khamenei) vlerëson përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë si partner strategjik. Kjo rrugë do të vazhdojë, Rusia është e përgatitur për të investuar në sektorin e naftës së Iranit”, ka thënë Valayati, për televizionin shtetëror iranian në Moskë.

“Irani dhe Rusia do të vazhdojnë bashkëpunimin në Siri”, ka thënë ai.

Të dyja shtetet mbështesin presidentin sirian Bashar al-Assad në betejën e forcave të tij në luftën civile në këtë shtet.

Rusia, Kina dhe fuqitë e mëdha evropiane kanë thënë se ende mbështesin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, që Irani ka me fuqitë botërore, pavarësisht vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për t’u tërhequr nga ky pakt dhe për rivendosje të sanksioneve ndaj Iranit.

“Putin ka rikthesuar se Rusia kundërshton vendimin e Amerikës për të rivendosur sanksione në Iran. Ai ka thënë se Rusia do ta mbështesë Iranin dhe do të mbrojë të drejtat e Teheranit”, ka thënë Velayati.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 përcakton heqjen e sanksioneve në Iran në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor të Teheranit, nën vëzhgim të vazhdueshëm të organizatave të Kombeve të Bashkuara.