Rusia ua shet gazin më shtrenjtë të varfërve sesa të pasurve

Kompania ruse Gazprom nuk i ka çmimet e njëjta të gazit për të gjitha shtetet në Evropë. Një studim i të dhënave publike në dispozicion tregon se vendet perëndimore të Evropës paguajnë më lirë gazin rus sesa vendet e varfra në pjesën lindore dhe qendrore të kontinentit tonë.

Lajme

02/07/2014 20:46

Polonia dhe Republika e Çekisë, për shembull, paguajnë më shumë se 500 dollarë amerikanë për 1,000 metra kub gaz, ndërsa matanë kufirit, Gjermania paguan më pak se 400 dollarë, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Çmimet e Gazpromit caktohen sipas asaj se cilat janë alternativat në këto vende”, thotë James Henderson, ekspert i industrisë ruse të gazit dhe naftës në Institutin për Studime Energjetike në Oksford, dhe shton se “esencialisht vepron si monopolist diskriminues”.

Ai thekson se “nëse ka aksione të rëndësishme në treg në vend, ose nëse e sheh se ai shtet ka alternative të kufizuara, atëherë i cakton çmimet në mënyrë përkatëse”.

Prej pesë vendeve më të varfra në Evropë, vetëm Moldavia paguan nën mesatare për gazin rus. Maqedonia, vendi i pestë më i varfër evropian sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, paguan më shtrenjtë se çdo vend tjetër, pasi çmimi për këtë vend është 564 dollarë amerikanë për 1,000 metra kub.

Bosnjë Hercegovina, ku të ardhurat mesatare mujore janë pesë herë më të ulëta se në Gjermani, paguan 515 dollarë për të njëjtën sasi gazi.

Pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë, nga ana e Rusisë, në muajin mars, dhe luftimeve që pasuan në pjesën lindore të Ukrainës, ku Rusia është akuzuar se i mbështet luftëtarët separatistë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë imponuar sanksione të shënjestruara ndaj Moskës.

Por, Gjermania, Austria dhe Franca, të cilat paguajnë më pak se 400 dollarë amerikanë për gazin rus, janë akuzuar se i kundërshtojnë penaltitë më të ashpra kundër Moskës.

Shpenzuesi më i madh i Gazpromit, Gjermania, që në vitin 2013 i ka blerë 40 miliardë metra kub gaz, që është një vëllim i barabartë me 40 mijë ndërtesa të Empire State Building në New York, ishte nën presion të liderëve industrialë gjermanë për t’iu shmangur sanksioneve të mëtejshme.

Franca ka refuzuar ta tërheqë marrëveshjen në vlerë prej shumë miliarda dollarësh për të shitur luftanije në Rusi.

Austria, që paguan 397 USD për 1000 metra kub, në muajin qershor ka nënshkruar marrëveshje për konstruktimin e sektorit austriak të gazsjellësit rus, që do ta anashkalonte Ukrainën.

Por, një javë para se Vjena ishte pajtuar për kushtet e kontratës me Moskën, Bashkimi Evropian me sukses i bëri presion Bullgarisë, e cila paguan 497 USD për 1000 metra kub, në mënyrë që ta shtyjë marrëveshjen me Rusinë për projektin e njëjtë të gazsjellësit Rrjedha Jugore.

Nga ana tjetër, Bjellorusia, anëtare  e Unionit Doganor me Rusinë, paguan vetëm 166 USD për 1,000 metra kub, që është çmimi më i ulët se i çdo vendi tjetër.

Armenia, e cila vitin e kaluar befasishëm ka shpallur synimin për t’iu bashkuar Unionit Doganor, paguan 189 dollarë.

Pas Bjellorusisë, Serbia është aleati më i afërt i Rusisë në Evropë, por ajo paguan 457 dollarë për 1,000 metra kub. Italia, që kishte raporte të afërta me Rusinë gjatë periudhës kur kryeministër ishte Silvio Berlusconi, paguan 440 USD. (Radio Evropa e Lirë)