Rusia thoshte që kërkuan azil, ushtarët ukrainas kthehen në shtëpi

Rusia i ka kthyer sot në Ukrainë edhe 48 ushtarët e mbetur, të cilë më 4 gusht kishin kaluar kufirin rus, deklaroi zëdhënësi i zyrës federale rajonale të shërbimeve të sigurisë ruse, Vasilij Malajev.

Bota

08/08/2014 01:09

Ky zëdhënës tha se të gjithë ushtarët ukrainas kanë qenë të vendosur nëpër tenda, në një kamp të posaҫëm jo larg kufirit, dhe se atje kanë qenë nën përkujdesje të plotë, transmeton agjencia ruse e lajmeve Itar-tass.

 Më 4 gusht, 438 ushtarë të brigadës së 72-të të motorizuar të këmbësorisë  dhe të Shërbimit kufitar ukrainas kanë kërkuar nga kufitarët rusë që t’iu lejojnë hyrjen në Rusi.

Më vonë, po atë ditë mbi 180 ushtarë kishin vendosur të ktheheshin në Ukrainë. Të martën, ndërkaq, ishin kthyer edhe 192 ushtarë.

Autoritetet ruse u përpoqën që këtë kalim të tyre ta paraqesin si gjoja kërkim azili nga ana e ushtarëve ukrainas.

Ukraina, ndërkaq, pati thënë se kalimi i tyre në Rusi u bë për arsye se këta ushtarë në kufi me Rusinë ishin të rrethuar nga separatistët pro-rusë dhe pa mundësi furnizimi me ushqime.