Rusia të tregojë vullnet të mirë brenda orësh

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë të enjten se Moska zyrtare duhet të dëshmojë “brenda orëve” se është duke punuar në mbështetje të armëpushimit midis Kievit dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Bota

26/06/2014 15:18

Pas bisedimeve me homologun francez, Laurent Fabius, në Paris, Kerry ka thënë se është e rëndësishme për Rusinë që në orët e ardhshme të tregojë se është duke ndihmuar në çarmatosjen e separatistëve, dhe se është duke i nxitur ata që të bëhen pjesë e një “procesi legjitim”. Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se Perëndimi nuk do të donte të ndërmerrte sanksione të reja kundër Rusisë. Komentet e Kerryt vijnë derisa presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka vendosur për armëpushim të njëanshëm dhe po përgatitet të paraqesë një ligj për ndryshime kushtetuese para Parlamentit ukrainas, i cili do të zgjeronte disa kompetenca rajonale. Dy rajonet lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk kanë votuar për vetëqeverisje, në përpjekje për të ecur rrugës së Krimesë, e cila në muajin mars shpalli pavarësinë dhe iu bashkëngjit federatës ruse.