Rusia nuk pranon kushte për kthimin e komplekseve diplomatike në SHBA

Kremlini ka paralajmëruar se nuk do të pranojë parakushte për kthimin e pronave diplomatike ruse të cilat janë konfiskuar nga SHBA-ja.

Bota

15/07/2017 10:33

Ky paralajmërim ishte si përgjigje ndaj komentve që ka bërë këshilltari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Sebastian Gorka në CNN, duke lidhur kthimin e pronave diplomatike të Rusisë me zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në mes të SHBA-së dhe Rusisë, për konfliktin në jugperëndim të Sirisë.

“Kthimi i pronave diplomatike të Rusisë nuk duhet të varet nga asnjë kusht”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Një gjë e tillë e thyen totalisht ligjin ndërkombtar”, ka thënë ai.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, kishte urdhëruar konfiskimin e komplekseve diplomatike ruse në Nju Jork dhe Maryland.

Obama po ashtu pati urdhëruar dëbimin e 35 diplomatëve rusë, pasi sipas tij ata ishin spiunë.

Këto kanë qenë vetëm disa nga masat që Obama pati ndërmarrë, pas dyshimeve se Rusisa ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Presidenti rus, Vladimir Putin nuk është hakmarrë ndaj këtyre masave, duke thënë se do të pres se çfarë do të veprojë adiministrata e Trumpit.

Mirëpo Peskov dhe Ministria e Jashtme ruse kanë thënë se Kremlinit është duke i humbur durimi dhe se ka mundësi që të dëbojë diplomatët amerikanë nga Rusia.