Rusia nuk heqë dorë nga Ballkani, kërkon krijimin e aleancës proruse

Një zyrtar i lartë i partisë në pushtet në Rusi, Rusia e Bashkuar, Sergei Zeleznjak, bëri thirrje për formimin e aleancës së shteteve sovrane ushtarakisht neutrale në Ballkan.

Bota

10/12/2016 12:00

Kjo aleancë, sipas tij, do të përfshinte Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

“Ne jemi të gatshëm për një bashkëpunim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës që synon mbështetjen e statusit jashtë blloqeve ushtarake të këtyre vendeve dhe zhvillimin e temave të neutralitetit ushtarak të “katërshes ballkanike” në skenën politike ndërkombëtare”, tha Zeleznjak në një intervistë për portalin rus në gjuhën serbe, “Ruska rec”.

Ai pohon se përfaqësuesit e BE-së deri më tani po i përmbahen praktikës së gabuar që ka nënkuptuar që vendet kandidate duhet të bëhen anëtarë të NATO-s në rrugën e integrimit evropian.

“Kështu, sot Serbisë dhe Mali të Zi me forcë po u imponohen hapat e papranueshëm të drejtuar kah anëtarësimi në NATO edhe pse ajo është agresor për ta”, shtoi ai.

Zeleznjak kujtoi se njeriu i parë i Federatës Ruse, Vladimir Putin, për herë të parë në historinë e Rusisë moderne definoi Konceptin e politikës së jashtme në respektimin e “zgjedhjes së vendeve evropiane të cilat nuk janë anëtare të aleancave ushtarake që të japin një kontribut real për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë”, si dhe gatishmërinë e Moskës për “bashkëpunim konstruktiv dhe të plotë me to”.