Rusia në KS të OKB-së thotë se Kosova e formoi ushtrinë me ndihmën e Amerikës

Përfaqësuesi i Rusisë në KS të OKB-së, Vasily Nebenzya, ka thënë se është Amerika ajo që e ndihmoi Kosovën në krijimin e ushtrisë.

Lajme

07/02/2019 23:25

Vasily Nebenzya, përfaqësues i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka thënë se Kosova e krijoi ushtrinë e saj falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton lajmi.net.

Madje ai kërkoi garancion që ushtria e Kosovës të mos jetë e pranishme në veri.

“Në anën tjetër, parlamenti ka marrë një vendim të shndërrimit të FSK në armatë, e cila është një shkelje tjetër. Çfarëdo grupi tjetër që shfaqet në Kosovë i armatosur, sipas rezolutës 1244, kërkon demilitarizimin të çfarëdo grupi të armatosur në Kosovë. Falë mbështetjes së ShBA-ve, Kosova ka ngritje të kapaciteteve ushtarake, luftarake por edhe të armatimit. Gjithsesi, duhet të ketë garancione që ato armë të mos kenë cënime për në veri. Çdo hap në këtë veprim do të nxiste zjarr përsëri”, tha Nebenzya në fjalimin e tij, raporton më tutje lajmi.net.

Nebenzya foli edhe për taksën që ka vendosur Kosova ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, duke e quajtur provokim.

“Prishtina provokon Serbinë, qeveria e Kosovës ka shkelur të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e tregtisë së lirë, duke imponuar kështu tarifa për Serbinë dhe Bosnën në 100%. Kjo tarifë ende është në fuqi, pavarësisht kërkesave të hiqen”, theksoi Nebenzya.

Ndërkaq sa i përket dialogut ai ka thënë se Rusia mbështet çdo marrëveshje e cila është në përputhje me Rezolutën 1244.

“Brukseli nuk ka asnjë fuqi për ndryshim në Kosovë. Këto marrëdhënie provokojnë çasje maksimaliste që nuk pranojnë ndonjë marrëveshje. Rusia kërkon që marrëveshje të jetë e pranueshme për të dyja palet, me qëllim që të jetë i përputhshëm me rezolutën 1244”, u shpreh Nebenzya. /Lajmi.net/