Rusia: NATO nuk do të ketë “vlerë të shtuar” me Malin e Zi

Ministria e Jashtme e Rusisë kritikoi vendimin e Parlamentit të Malit të Zi për të ratifikuar marrëveshjen për anëtarësim në NATO.

Bota

28/04/2017 19:44

 

“Marrë parasysh potencialin e Malit të Zi, Aleanca Veri-atlantike nuk ka gjasa të sigurojë vlerë të shtuar. Por, veprimi i Parlamentit pa llogaritur mendimin e popullit, është akt demonstrativ i shkeljes së të gjitha normave dhe parimeve demokratike”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

E njëjta tha se vendimi u shërben interesave të “forcave të jashtme” që synojnë të krijojnë çarje midis Malit të Zi dhe Rusisë.

Parlamenti i Malit të Zi ratifikoi të premtën marrëveshjen për anëtarësim në NATO me votat pro të të 46 deputetëve të pranishëm në seancë.

Ligjvënësit e opozitës në legjislaturën me 81 vende e bojkotuan sesionin.

Ushtria e Malit të Zi ka rreth 2,000 trupa.

Mali i Zi pritet të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Aleancës Veri-atlantike në fund të majit ose fillim të qershorit. /REL