Rusia “mposhtet” në OKB, nuk kalon rezoluta që dënon sulmin në Siri

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka hedhur poshtë rezolutën e propozuar nga Rusia me të cilën do të dënohej “agresioni” i SHBA-ve dhe aleatëve të saj kundër Sirisë.

Bota

14/04/2018 23:38

Për rezolutë kanë votuar Rusia, Kina dhe Bolivia, kurse tetë shtete ishin kundër, katër tjera të përmbajtura.

Në mesin e shteteve që u përmbajtjen nga votimi (abstenuan) ishin Peru, Etiopia, Kazakistani dhe Guineja Ekuatoriale.

Për rezolutën u votua në fund të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të ftuar nga Rusia, transmeton lajmi.net.

Për miratimin e rezolutës ka qenë e nevojshme mbështetja e nëntë shteteve dhe se njëra nga pesë vendet anëtare të përhershme të KS së OKB-së Rusia, Kina, SHBA, Franca dhe Britania mos të vënë veto.

Rusia sot më herët gjatë ditës kishte propozuar rezolutë në Këshillin e Sigurimit me të cilën e dënonte “agresionin” e SHBA-ve dhe aleatëve të saj kundër Republikës Arabe të Sirisë për shkak të shkeljes së të drejtës ndërkombëtare dhe kartës së OKB-së.

SHBA, Britania dhe Franca njoftuan se kanë kryer sulme ajrore ndaj Sirisë pasi që kanë marrë konfirmime dhe prova se armata siriane kishte përdorur gaz helmues vikendin e kaluar në Duma të Sirisë.

Rusia dhe Siria, megjithatë, thonë se sulmi në Duma ishte i inskenuar. /Lajmi.net/