Rusia kufizoi edhe pjesëmarrjen në funeralin e opozitarit të vrarë

Dhjetëra mijëra rusë i kanë dhënë lamtumirën e fundit opozitarit të vrarë, Boris Nemtsov, i cili javën e kaluar u qellua pas shpine derisa po ecte rrugës nga restoranti në drejtim të shtëpisë së tij në Moskë.

Bota

03/03/2015 15:30

Nemtsov, 55 vjeçar, një kritik i madh i pushtetit, po ecte me të dashurën e tij ukrainase, Anna Durytska, kur ai u qëllua katër herë, ndërkohë që për atentatin ndaj tij, analistë dhe opozitarë fajësojnë “dorën e zezë” të presidentit rus, Vladimir Putin.

Ukrainasja, një modele 23 vjeçare, u mor në pyetje nga policia, dhe më pas u lejua të kthehet në Ukranië. Ajo, sipas policisë, ka thënë se nuk e ka parë vrasësin që e kishte goditur nga mbrapa të dashurin e saj.

Edhe Shërbimi Federal i Mbrojtjes i Rusisë ka dal me deklaratë se kamerat e sigurisë të vendosura në rrugë, nuk kanë marrë ndonjë pamje të atentatorit, pasi sipas këtij shërbimi, ato janë të fokusuara në drejtim të Kremlinit.

Trupi i pajetë i opozitarit rus, i vrarë të premten afër Kremlinit
Trupi i pajetë i opozitarit rus, i vrarë të premten afër Kremlinit

Funerali i opozitarit u mbajt në kryeqytetin rus, në Moskë, dhe pastaj arkivoli me trupin e pajetë të Nemtsov u dërgua në varrezat e qytetit, aty ku më 2006 u varros edhe gazetarja e vrarë Anna Politkovskaya, njofton BBC, raporton lajmi.net

Disa politikanë të Bashkimit Evropian dhe lideri i opozitës i Rusisë u ndaluan të marrin pjesë në funeralin e kritikut të ashpër të presidentit Vladimir Putin, i cili prej vitit të kaluar ka acaruar raportet mes Rusisë dhe Perëndimit, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe konfliktit në dy rajone të tjera të Ukrainës.

Nemtsov u qëllua për vdekje në një urë, pranë murit të Kremlinit, mbrëmjen e së premtes, dhe ata që e njohën do ta kujtojnë si një njeri, i cili ishte plot energji dhe jetë që besonte me pasion në demokraci.

Ai kurrë nuk kishte frikë të fliste atë që mendonte. Vitin e fundit ai kishte qenë një kundërshtar i ashpër i presidentit Putin, duke e akuzuar atë për korrupsionin dhe nxitjen e luftës në Ukrainë.

Deputetja letoneze, Sandra Kalniete, i tha BBC-së se asaj i ishte refuzuar hyrja në Rusi në aeroportin Sheremetievo në Moskë, pa një shpjegim të duhur. Ajo tha se kishte pritur dy orë në aeroport para se t’i refuzohej hyrja.

Edhe senatorit polak, Bogdan Boruseëicz, i ishte mohuar viza hyrëse për të marrë pjesë në funeralin e Nemstov, i cili u vra pranë murit të Kremlinit, por autoritetet nuk kanë asnjë të dhënë as të dyshuar për atentatorin.

Autoritetet ruse mosdhënien e vizave hyrëse për disa politikanë nga shtetet evropiane e kanë lidhur me sanksionet që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Rusisë për përfshirjen e saj në konfliktin e Ukrainës.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se vendimi i autoriteteve ruse për të mos lejuar disa politikanë evropian të marrin pjesë në funeralin e opozitarit rus është “arbitrar” dhe i dënueshëm nga Bashkimi Evropian.

Edhe kreut të opozitës ruse, Aleksei Navalny, i ishte mohuar leja e autoriteteve të burgut për të marrë pjesë në funeral, ku ai po vuan një dënim 15 ditorë për shpërndarjen e fletushkave që bënin thirrje për një protestë kundër pushtetit rus.

Ai kishte apeluar kundër vendimit të gjykatës që nuk e lejoi për të marrë pjesë në funeral, por Gjyka e Apelit, ka caktuar ditën e mërkurë për ta shqyrtuar kërkesën e kryeopozitarit rus.

Presidenti Putin nuk mori pjesë në funeral, por Kremlini zyrtar kishte njoftuar se kreu i Federatës Ruse do të dërgojë një përfaqësues në vend të tij.

Në funeralin sotëm në Moskë ishte edhe ish kryeministri Britanik, John Major, i cili u tha gazetarëve se është në të mirën e Rusisë që të bëhet një hetim i plotë e transparent lidhur me vrasjen e opozitarit Nemtsov. Ai tha se kjo ishte vizita më e trishtuar e tij në Moskë dhe se nuk do të heshtë derisa të zbardhet kjo vrasje.

Dhjetëra mijëra njerëz marshuan nëpër qendër të Moskës edhe të dielën për të nderuar opozitarin Nemtsov. Aleatët e tij kanë akuzuar Kremlinin të përfshirje në vrasje, por presidenti Putin dënoi vrasjen duke thënë se ishte e “turpshëm” dhe “provokuese”, dhe duke u zotuar për të gjetur vrasësin.

YouTube player