Rusia jep ultimatum deri në mëngjes

Ushtria ruse në Krime i ka dhënë ultimatum forcave të Ukrainës që të dorëzohet deri në mëngjes, në të kundërtën do të sulmojë. Deri më tani, shumica e bazave ushtarake në Krime janë nën kontrollin e ushtrisë ukrainase, por të rrethuar me forca pro-ruse.

Bota

03/03/2014 17:08

Flota Detare Ruse e Detit të Zi i ka kërkuar forcave ukrainase në Krime që të dorëzohen deri më orën 5 të mëngjesit (ora 3 sipas Krimesë), ose do të përballen me një sulm ushtarak. Në Kiev nuk është konfirmuar një lajm i tillë, transmeton BBC.

Të gjitha bazat ushtarake në Krime vazhdojnë të jenë nën kontrollin e ushtrisë ukrainase, mirëpo janë të rrethuara me trupa pro-ruse, ka deklaruar zyrtari Ministrisë së Mbrojtës në rajonin e Krimes, Vladislav Seleznjov.

Trupat pro-ruse i kanë marrë nën kontroll terminalin për trajekte në qytetin më lindor të Krimesë, Kerch dhe janë hapur spekulime që Moska planifikon që të shtojë numrin e trupave në atë rajon.

Trupat për të cilat Kievi zyrtar thotë se qëndrojnë prapa ushtarëve rusë, deri më tani kanë marrë aeroportet në Krime, kanë shkatërruar pajisjet në një bazë ajrore dhe kanë marrë bazën e këmbësorisë ukrainase në këtë gadishull.

Avionët luftarakë rusë gjatë natës dy herë kanë fluturuar mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, njoftoi sot Ministria ukrainase e Mbrojtjes.