Rusia i referohet pavarësisë së Kosovës duke mbrojtur atë të Krimesë

MPJ e Rusisë përmendi se deklarata e pavarësisë së Krimesë i referohet shpalljes së pavarësisë së Kosovës për të cilën OKB ka thënë se nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, Rusia refuzon ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Bota

11/03/2014 17:10

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha sot se shpallja e pavarësisë së Krimesë, e miratuar gjatë ditës nga parlamenti i këtij rajoni ishte “absolutisht e ligjshme”

“MPJ e Rusisë konsideron se vendimi i parlamentit të Krimesë është absolutisht i ligjshëm”, thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie, pak ditë para se banorët e Krimesë të dalin në referendum në të cilin do të vendosin nëse ky rajon dëshiron t’i bashkohet Rusisë.

Parlamenti lokal miratoi sot një deklaratë për pavarësinë e republikës autonome të Krimesë dhe qytetit të Sevastopolit” me 78 nga 81 deputetë që e mbështetën këtë deklaratë.

Vendimi i parlamentit, i cili është shpallur i paligjshëm nga qeveria në Kiev, duket se synon të krijojë kornizën ligjore për bashkimin e këtij rajoni Rusisë.

Televizioni shtetëror rus sot i referohej Krimesë si “Republika e Krimesë”.

“Rusia do ta respektojë në plotëni shprehjen e lire të vullnetit të popullit të Krimesë gjatë referendumit për të cilin, siç e dimë, janë ftuar vëzhgues nga OSBE dhe në mënyrë bilaterale”, ka thënë kjo ministri.

Ministria përmendi se deklarata e pavarësisë së Krimesë i referohet shpalljes së pavarësisë së Kosovës për të cilën OKB ka thënë se nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Megjithatë, Rusia refuzon ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.