Rusia e shton presionin ndaj Serbisë për statusin e bazës kundërthënëse

Rusia e ka shtuar presionin ndaj Serbisë duke kërkuar status diplomatik për personelin rus në kapacitetin kundërthënës, për të cilin zyrtarët e Shteteve të Bashkuara besojnë se mund të shndërrohet në bazë spiunimi e Rusisë në Ballkan.

Lajme

17/10/2017 17:00

Moska disa herë i ka përgënjeshtruar raportet se e ashtuquajtura, Qendër humanitare ruso-serbe, në qytetin jugor Nish, është bazë e Rusisë për përgjim të perëndimit në Ballkan. Mëtutje, agjencia AP nga Beogradi, raporton se Ballkani është një rajon i tensionuar ku Rusia garon për ndikim.

Moska disa herë ka thënë se kjo qendër shërben vetëm për misione humanitare.

Zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë takimit të sotëm, ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander Chepurin, ka kërkuar nga ai për ta zgjidhur statusin e qendrës “sa më shpejtë që të jetë e mundur” për shkak të “vëllimit të punëve të saj”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se “as Moska e as Uashingtoni” nuk do të ndikojnë në vendimin e qeverisë për statusin e qendrës në Nish.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim lidhur me këtë qendër, e cila është hapur nga Rusia dhe Serbia në vitin 2011.

Lokacioni i saj është afër kufirit të Serbisë me Bullgarinë, anëtare e NATO-s, dhe me Kosovën, ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake amerikane dhe trupat paqeruajtëse të NATO-s./REL