Rusia afër kthimit të komplekseve diplomatike në SHBA

Një zyrtar i lartë rus e ka lënë të hapur mundësinë që Moska dhe Uashingtoni të kenë arritur një marrëveshje e cila do të kthente qasjen e rusëve në dy komplekset e tyre diplomatike në SHBA.

Bota

18/07/2017 09:44

Këto komplekse ishin konfiskuar në dhjetorin e vitit të kaluar me vendimin e presidentit të atëhershëm, Barack Obama.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka dhënë një përgjigje të shkurtër pas interesimit të mediave për të kuptuar nëse është arritur një marrëveshje.

Sipas CNN, kur Ryabkov është pyetur: “A i keni kthyer komplekset diplomatike?”, ai është përgjigjur, “pothuajse, pothuajse”, shkruan REL.

Asnjëra nga palët nuk ka dalë me ndonjë deklaratë pas takimit që është mbajtur në Departamentin e Shtetit në SHBA.

Është raportuar që takimi të ketë zgjatur më shumë së dy orë e gjysmë.

Obama pati urdhëruar konfiskimin e komplekseve diplomatike ruse në Mariland dhe Nju Jork, dhe dëbimin e 35 diplomatëve rusë, si përgjigje të asaj që Obama pati deklaruar, se ata kanë qenë spiunë që janë përpjekur të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka befasuar të dyja vendet duke mos marrë masa të hakmarrjes.

Zyrtarët rusë kanë shtuar thirrjet para mbajtjes së këtij takimi për kthimin e komplekseve diplomatike pa kushte, pasi Moskës po i kalon durimi.