Rumania jep garanci për presidencën e BE-së: Armiqësitë politike nuk do ta pengojnë
Ndarjet politike nuk do të minojnë presidencën gjashtë-mujore të BE-së, deklaruan të enjten zyrtarë të lartë nga Bukureshti, pasi Komisioni Evropian shprehu shqetësime rreth faktit nëse vendi ishte gati të udhëheqë bllokun deri në mes të vitit 2019.
Bota
Në hapin e parë të tij në krye të Bashkimit Evropian, Rumania përballet me Brexit-in në mars, zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj dhe bisedimet e ashpra mbi buxhetin e ardhshëm afatgjatë të unionit.
Por vendi i dytë më i varfër i BE-së, i cili iu bashkua unionit më 2007-ën, është politikisht i ndarë dhe nën shqyrtimin e BE-së, mbi korrupsionin dhe shqetësimet rreth mungesës së sundimit të ligjit në vend.
Presidenti Klaus Iohannis, një centrist që përfaqëson Rumaninë në samitet e BE-së, ka kritikuar gatishmërinë e qeverisë socialdemokrate për presidencën dhe planet e saj për të përmirësuar gjyqësorin, çështje që shqetësojnë edhe BE-në.
Qeveria do të preferonte që kryeministri të përfaqësonte vendin. Disa në Bruksel besojnë se konfliktet politike dhe sundimi i ligjit mund të errësojnë përgjegjësinë kryesore të Rumanisë për të kërkuar konsensus mbi çështje të ndryshme midis qeverive të BE.
“Do të tregojmë se Rumania është e përgatitur mirë për të menaxhuar dosjet e rëndësishme dhe mund të krijojë konsensus në nivel evropian”, tha kryeministri Viorica Dancila në një ceremoni që shënonte fillimin e presidencës.
Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, gjithashtu i pranishëm, tha në fund të vitit të kaluar se qeveria rumune “ende nuk e ka kuptuar plotësisht se çfarë do të thotë të kryesojë vendet e BE-së”. /tch