Rumania dëbon serbin nën akuzat për spiunim

Rumania ka përjashtuar një çetnik serb pro-rus dhe ia ka ndaluar hyrjen në shtetin e NATO-s për 15 vjet, pasi kishte shprehur interesim për marrjen e informatave lidhur me pajisjet ushtarake, ka njoftuar agjencia shtetërore e sigurisë.

Bota

14/11/2017 23:48

Bratislav Zhivkoviq, 42-vjeçar, është paramilitar serb dhe ishte në Krime gjatë periudhës 2014-15 për të përkrahur Rusinë atje. Ai u kishte thënë gazetarëve në atë kohë se ishte e natyrshme që dëshironte t’i ndihmonte rusët në luftën ndaj Ukrainës.

Një zyrtar i shërbimit sekret të Rumanisë ka thënë se e kishin identifikuar Zhivkoviqin “pasi kishin parë se ai kishte shprehur interesim për marrjen e dokumenteve lidhur me infrastrukturën dhe objektivat e ushtrisë dhe aleatëve ushtarakë të vendosur në juglindje të Rumanisë, me qëllim që të ndikonte në strategjinë tonë dhe partnerëve”.

Ovidiu Marincea ka thënë për Reuters se Zhivkoviq ishte zënë duke fotografuar radarët e ushtrisë në bregun e Detit të Zi dhe teksa përpiqej që të transmetonte koordinatat e tyre, transmeton Koha.net.

“Dua të theksoj se ky shtetas serb nuk pati sukses në grumbullimin e dokumenteve apo informatave”, ka thënë Marincea, që ka shtuar se Zhivkoviq u konsiderua si kërcënim për sigurinë kombëtare të Rumanisë.