Rumani: Hetime të stisura për prokuroren Kövesi

Kundër Laura Kövesit, ish drejtueses së Autoritetit Antikorrupsion në Rumani, DNA është hapur një procedurë hetimore. Jo vetëm prokurorja që çoi në burg disa politikanë të korruptuar rumunë, dyshon për sfond politik.

Bota

16/02/2019 08:24

Laura Kövesi, drejtuesja që u hoq me nxitim nga Autoriteti Antikorrupsion i Rumanisë, DNA është për shumë politikanë një gjemb në këmbë. Pas largimit të saj nga detyra vitin e kaluar nga qeveria social-liberale, kundër saj u nxit një gjueti e vërtetë shtrigash. Tani kjo arritur një pikë të re kulmore. Laura Kövesi akuzohet  si e dyshuar për nisjen e një procedure hetimore të pabazuar. Ajo akuzohet për shpërdorim detyre, pranim korrupsioni dhe të dhëna të gabuara.

Në Rumani Kövesi gëzon një mbështetje të gjerë, si nga shoqëria civile ashtu edhe nga shumë gjykatës e prokurorë. Edhe presidenti Klaus Iohannis e ka vlerësuar punën e saj disa herë publikisht. Në BE Kövesi si një prokurore e guximshme dhe kompetente gëzon një prestigj të madh. Për këtë arsye ajo konsiderohet si një kandidate me shumë shanse për postin e Prokurores së Përgjithshme të BE. Vendimi për ta thirrur atë para departamentit të posaçëm të sapokrijuar për vepra penale në sistemin e drejtësisë ditën e premte (15.02) bën që jo vetëm Kövesi të mendojë se këtu bëhet fjalë për krijim pengesash. Në të njëjtën ditë ajo duhej të paraqiste kandidaturën e saj në Bruksel.

Madje për vetë ish-kryeministrin dhe ish-drejtuesin e socialdemokratëve, Victor Ponta, një armik i deklaruar i prokurores, kjo procedurë nuk është e rastësishme. „Rasti është punë e zotit”, i përgjigjet ai me ironi një gazetareje lidhur me ftesën nga drejtësia për Laura Kövesin.

Sulme kundër drejtësisë së pavarur

“Rasti Kövesi” duket si një komplot me përmasa të mëdha. „Akuzat” e ngritura kundër saj lidhen me një denoncim në dhjetor të vitit të kaluar të bërë nga Sebastian Ghita, një ish-deputet i partisë PSD. Ai pretendon, se Kövesi, para 10 vitesh e ka detyruar që të paguajë shpenzimet e fluturimit për kthimin e një krimineli në arrati nga Indonezia. Kövesi atëherë ishte prokurore e përgjithshme. Sipas Ghitas ky ishte një rast i qartë i keqpërdorimit të postit dhe përpjekje për korruptim. Akuzat e ngritura prej tij tani janë hedhur njëherë poshtë nga drejtësia para dy vitesh. Policia rumune deklaroi publikisht, se i ka marrë përsipër shpenzimet e plota për fluturimin. Vetë kundër Ghitas ka disa procese gjyqësore të hapura për korrupsion. Në vitin 2017 ai ka kaluar në ilegalitet dhe sipas të dhënave të veta ka marrë në Serbi azil politik.

Forca nxitëse për fushatën kundër Kövesit është me shumë gjasa Liviu Dragnea, kreu i PSD dhe president i parlamentit. Ai vetë për shkak të dënimit për shpërdorim të postit dhe manipulim zgjedhor nuk u lejua të zgjidhej kryeministër, megjithatë ai kontrollon qeverinë. Disa ndryshime ligjore që synohen të bëhen prej tij e shpurës së tij apo të tjera që janë bërë ndërkohë, parashohin që autoriteti antikorrupsion të mos hetojë më ndaj zyrtarëve të administratës. Kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë mbi prokurorët u zgjerua. Ndryshimet ligjore të bëra kritikohen ashpër jo vetëm nga opozita në Rumani, por edhe nga Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian.

Kritik nga Gjermania

Edhe nga Gjermania hetimet kundër Laura Kövesit ndeshin me kritika. Gunther Krichbaum, kryetar i komisionit parlamentar për Europën në Bundestag në një letër drejtuar zëvendëskryetarit të KE, Frans Timmermans flet për një procedim të „motivuar politikisht”. Me këtë, sipas Krichbaum, synohet të “dëmtohet kandidatura e saj premtuese për postin e prokurores së përgjithshme europiane.” Në letrën që e ka në dorë edhe Deutsche Welle, Krichbaum pyet, se çfarë duhet të ndodhë tjetër në drejtim të çmontimit të shtetit ligjor në Rumani, që KE të fillojë një procedurë në bazë të nenit 7 të rregulloreve të BE.

Pas seancës dëgjimore të premten, Kövesi u tregua optimiste. Megjithëse hetimet kundër saj mund të dëmtojnë kandidaturën e saj në BE, ajo u shpreh, se do të kandidojë për postin e prokurores së përgjithshme të BE. Më 26 Shkurt ajo pritet në Parlamentin Europian. Kundër saj ende nuk është vendosur ndalim udhëtimi. Në Bukuresht dhe qytete të tjera rumune janë paralajmëruar ndërkohë protesta mbështetëse për Laura Kövesin.