Rugova: Kosovës i duhet një ideal

Kosova e sotme nuk është ajo që e ka dashur presidenti Rugova. Ai e ka dashur një Kosovë më të lirë dhe më të pastër. Konstatimin për këtë e bën djali i madh i arkitektit të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Mendim Rugova.

Lajme

09/07/2014 09:36

Mendimi, djali që është i orientuar nga shkenca dhe arti, ka vendosur që të flasë ekskluzivisht dhe për herë të parë për politikën dhe Kosovën, për të cilën thotë se tash nuk po e duam siç e kemi dashur.

Atë po e brengos humbja e idealizimit dhe solidaritetit që e ka pasur shoqëria kosovare gjatë viteve të pushtimit. Sipas tij, është e kuptueshme që të ketë zhgënjim, por ideali për republikën që e ka dashur presidenti Rugova dhe të tjerët që dhanë shumë për të, duhet të kultivohet.

“Në Kosovën e pasluftës njerëzit kanë filluar të brengosen për mbijetesën individuale, sot për nesër pa pasur ndonjë ideal. Ky është problem. Ne duhet të mendojmë dhe të veprojmë ende për Kosovën tonë ideale”, ka thënë Rugova në një intervistë për “Tribunën”.

Në pjesën e parë të intervistës, ai flet edhe për kujtimet e tij me presidentin Rugovoa dhe për pasionin për shkencën.