Rugova akuzon Shpend Ahmetin për shkarkime selektive të drejtorëve të Vetëvendosjes

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, ka reaguar pas shkarkimeve të fundit të drejtorëve të Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës.

Lajme

08/11/2018 10:48

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se veprimi i të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, sipas tij është lojë me shkarkime selective.

Siç thotë ai, Ahmeti po e përdor taktikën e serbëve me veprime të tilla.

Ky është postimi i plotë i Rugovës në Facebook:

Lojë me shkarkime selektive

Duke e shkarkuar Arben Vitine dhe Nora Kelmendin, dhe duke mos më shkarkuar mua si drejtor të Vetëvendosjes, Shpendi po e përdorë taktikën që serbët e përdornin me “shqiptarët e ndershëm” duke më shpallur “Vetëvendosje i ndershëm”.

Kjo i bie, se edhe nëse dikush është Vetëvendosje, ai si kryetar është në gjendje ta lejojë në qeverisje. Por kjo është vetëm lojë për të legjitimuar qeverisjen e tij, absolutisht të zaptuar në zgjedhjet e fundit nga Vetëvendosja. E për më shumë qeverisje që ka tendenca të zgjerohet edhe me PDK-në.

Është e vërtetë që në zgjedhjet e fundit në komunë i jam bashkuar Vetëvendosjes me ftesë nga vetë Shpendi dhe Dardani. Po unë e di se nuk do t’i kishim votat e duhura pa qenë duke garuar bashkarisht si Vetëvendosje.

Andaj, përderisa kam garuar me këtë subjekt, edhe vazhdoj të jem pjesë e tij, nuk ka gjasa të marr vendime pa diskutuar me Lëvizjen. Megjithëse tashmë bashkëpunimi po duket se s’ka gjasa të vazhdojë.

Pa marrë parasysh qysh po përjashtohemi, ne e dimë si do të kthehemi./Lajmi.net/