Rrugët në zonat e thella malore, të kalueshme

Rrugët në tërë vendin vazhdojnë të mirëmbahen dhe pastrohen pa ndërprerë.  Rëndësi e veçantë u është kushtuar rrugëve në zonat e thella malore, në veçanti në qendrat e turizmit dimëror, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Lajme

20/01/2017 11:20

Menaxherët rajonalë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ekipet mbështetëse të MI-së, në koordinim me kompanitë e kontraktuara nga MI, po i mirëmbajnë dhe pastrojnë rrugët nacionale dhe rajonale në tërë vendin, duke bashkërenduar aktivitetet edhe me ekipet lokale në një numër komunash, si ndihmë shtesë në disa zona të thella malore, ku ka sasi më të mëdha të borës.

“Po ashtu, ekipet e MI-së po bashkëpunojnë edhe me Policinë e Kosovës, për të rritur sigurinë në komunikacion, duke marrë masa të largimt nga komunikacioni të automjeteve pa pajisje të nevojshme dimërore për udhëtim, të cilat rrezikojnë dhe bllokojnë komunikacionin dhe pengojnë kompanitë në mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve”, thuhet në njoftim.

Ministria e Infrastrukturës i këshillon të gjithë ngasësit e automjeteve që të mos i parkojnë automjetet e tyre në vende të palejuara, duke bërë apel për respektim të ligjit, të rregullave të komunikacionit dhe për kujdes maksimal gjatë udhëtimit.