Rrugë të reja të hashashit drejt Italisë

Rreth 1.2 ton kanabis u sekuestruan në brigjet italiane, nga Guarda di Finanza, pas një operacioni të përbashkët me Policinë e Shtetit.

Lajme

23/07/2017 22:30

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, autoritetet fqinje janë vënë në ndjekje të një gomoneje në ujërat ndërkombëtare deri në afërsi të Termolit, ku edhe është bllokuar mjeti lundrues.

Gomonia me gjatësi 7.5 metra drejtohej nga dy skafistë shqiptarë të moshës, 30 dhe 44 vjeç, të cilët janë vënë në pranga.

Identiteti i plotë i tyre nuk bëhet me dije pasi Policia e Shtetit thotë se për shkak të sekretit hetimor rezervohet të japë të dhëna të mëtejshme në lidhje me origjinën dhe pikënisjen e gomones.

Nga ana tjetër, uniformat blu theksojnë se trafikantët janë duke shfrytëzuar rrugë alternative, jo më nga territori dhe ujërat shqiptare drejt Pulias, por në pjesën e sipërme te Adriatikut, drejt Abrucos.

Ndërkohë, mediat italiane raportojnë se sasia e drogës së kapur është më shumë se 1.2 ton.