Rruga për BE

Delegacionet e BE'së dhe të Kosovës kanë filluar negociatat për MSA. Kryeministri Hashim Thaçi thotë se po hapet një kapitull i pakthyeshëm drejt integrimit. Joost Korten thotë se Kosova është në rrugë drejt BE'së, por ka punë me plotësimin e kritereve.

Lajme

28/10/2013 17:26

Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian kanë filluar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në fjalën e tij se sot është një ditë historike për Kosovën dhe marrëdhëniet e saj me BE’në.

Ai ka pohuar se sot po hapet një kapitull i pakthyeshëm për Kosovën drejt integrimit, duke konstatuar se BE  po përmbush premtimin për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, në BE dhe NATO.

Kryenegociatori nga ana e BE’së, Joost Korten, ka pohuar se këto negociata që po fillojnë sot nuk janë meritë e BE’së, por e gjithë përfaqësuesve të Kosovës që kanë bërë reformat.

Ai ka thënë se zgjedhjet lokale do të ndihmojnë këtë process, duke shprehur besimin e tij se ato do të jenë të rregullta.

Korten ka thënë se fillimi i këtyre negociatave tregon se Kosova është në rrugë drejt BE’së, ashtu si të gjitha shtetet fqinje, mirëpo, në këtë proces, sipas tij, nuk mjaftojnë vetëm vullneti dhe dëshira, por edhe përmbushja e kritereve.

Nisjen e negociatave për MSA-në e ka mirëpritur edhe presidentja, Atifete Jahjaga.

Përmes një komunikate më shkrim, Jahjaga thotë se ky është një hap i rëndësishëm në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është hap konkret drejt realizimit të perspektivës evropiane, që do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit”